Pedro Sánchezi i Spanjës është progresist i veçuar në Evropë – dhe

0%

Kryeministri spanjoll ka qenë një nga të paktët udhëheqës evropianë që i ka bërë ballë Trumpit. Tani ai po përballet me diplomaci shtrënguese dhe me një të djathtë ekstreme gjithnjë e më të fuqizuar në vendin e vet.

Nga: Eoghan Gilmartin / The Guardian Përkthimi: Telegrafi.com Pamjet dramatike të së enjtes së kaluar, kur mijëra migrantë hynë në enklavën spanjolle të Afrikës së Veriut, në Seutë, shkaktuan një valë reagimesh të furishme në internet nga e djathta ekstreme.

Retorika alarmante u shfaq edhe në rrymën kryesore politike evropiane, teksa udhëheqësit e BE-së nuk humbën kohë për t’ia atribuuar skenat kaotike politikave liberale të imigracionit të Spanjës.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në një letër të iniciuar nga Italia e Danimarka dhe të nënshkruar nga 22 krerë qeverish të BE-së, dukej se për krizën e fundit fajësonin programin e fundit të kryeministrit spanjoll Pedro Sánchez – për legalizimin e migrantëve pa dokumente, program që mori më shumë se një milion aplikime.

Ata pohonin se Evropa duhet të “[adresojë] të gjitha politikat që mund të shërbejnë si faktorë tërheqës”. Ky reagim shpërfaqi një mungesë të theksuar solidariteti ndaj një shteti tjetër anëtar të BE-së. Në një përgjigje të zemëruar, Sánchezi denoncoi “paragjykimet, keqinformimin dhe sulmet” e shumë prej homologëve të tij.

Megjithatë, sfida e tij, si dhe përpjekjet e mëvonshme të Brukselit për të shfaqur një front të bashkuar, nuk arritën ta zhbënin përshtypjen e izolimit të qeverisë së tij gjatë një emergjence të rëndë në kufirin e saj jugor.

Kryeministri spanjoll mund të ketë marrë një rol më të spikatur në skenën botërore gjatë vitit të fundit – mbi të gjitha përmes kundërshtimit të luftës amerikane kundër Iranit – por, kriza e Seutës tregon gjithashtu se po ngushtohet hapësira për modelin e tij të politikës së jashtme progresiste.

Në të vërtetë, përpjekjet e Sánchezit për marrëveshje me monarkinë represive të Marokut – veçanërisht lidhur me pushtimin e territorit të kontestuar të Saharasë Perëndimore – bien ndesh me qëndrimet e tij, përndryshe parimore, për Palestinën, Ukrainën dhe Iranin. Dhe, Seuta është në qendër të këtij lëshimi në vlera.

Ndonëse i paprecedentë për nga përmasat, ky nuk është rasti i parë që një incident i tillë ndodh në kufirin fort të militarizuar që ndan Marokun nga kjo enklavë. Reagimi i BE-së ndaj inkursionit të fundit masiv, në vitin 2021, ishte dukshëm ndryshe.

Atëherë, pasi 10 mijë veta – kryesisht shtetas marokenë – mbërritën brenda një periudhe 48-orëshe, Parlamenti Evropian u rreshtua i bashkuar duke miratuar një rezolutë që akuzonte Marokun se po ua rrezikonte jetën për të ushtruar “presion politik ndaj Spanjës”.

Duket se ka fare pak dyshim se edhe ngjarjet e javës së kaluar, të cilat përbënin një tragjedi humanitare ku humbën jetën të paktën 141 njerëz, mbanin gjithashtu shenjat dalluese të një diplomacie të tillë shtrënguese. Njoftimet se rojat kufitare marokene bënë fare pak rezistencë gjatë valës së hyrjeve, madje edhe i nxitën migrantët të kalonin kufirin, pasuan një skenar tashmë të njohur.

Gjatë dekadës së fundit, qeveria marokene e ka lehtësuar herë pas here zbatimin e kontrollit kufitar në çaste tensionesh diplomatike me Spanjën, duke provokuar kalime masive si mjet për të ushtruar trysni. Pesë vjet më parë, Evropa e kuptoi këtë dinamikë.

Këtë herë, megjithatë, një pjesë e madhe e debatit politik u përqendrua te përfitimi politik në kurriz të qeverisë së qendrës së majtë të Spanjës. Për Sánchezin, kjo ishte një kujtesë e fortë se zhvendosja e BE-së djathtas e ka lënë atë të veprojë si një progresist i veçuar në Evropë.

Giorgia Meloni e Italisë nuk është e vetmja udhëheqëse që e trajtoi krizën si një mundësi për të kërkuar qasje më të ashpër ndaj migracionit. Ata që nxitën përçarjet e brendshme në BE vetëm sa e nxorën në pah dobësinë e Evropës si aktere gjeopolitike: përballë një sulmi të dukshëm hibrid kundër një shteti anëtar, ajo nuk ishte në gjendje të bashkërendonte një përgjigje kolektive.

Fakti që qeveria e Sánchezit u kap në befasi lë të kuptohet gjithashtu se kishte treguar njëfarë vetëkënaqësie ndaj pasojave të mundshme të refuzimit për t’i lejuar ShBA-së qasje në bazat e saj ajrore gjatë luftës me Iranin.

Në muajt para shtimit të kalimeve kufitare, republikanët e shquar i kishin bërë tashmë thirrje administratës Trump të hakmerrej duke mbështetur pretendimet territoriale të Marokut ndaj Seutës dhe enklavës tjetër spanjolle në Afrikën e Veriut, Melilës.

Kombinimi i këtij përkeqësimi të thellë të marrëdhënieve amerikano-spanjolle me rëndësinë në rritje të Marokut si partner rajonal për Shtëpinë e Bardhë të Trumpit, mund ta ketë trimëruar edhe një herë regjimin e atij vendi që përsëri ta ketë në shënjestër kufirin.

Krahas kërcënimeve të Trumpit për të ndërprerë tregtinë me Spanjën, gjatë muajve të fundit administrata e tij ka ndërhyrë edhe më drejtpërdrejt në politikën e brendshme spanjolle.

Vetëm pak javë pasi Sánchezi shprehu qëndrimin e tij për Iranin, Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare u dorëzoi hetuesve spanjollë të korrupsionit mesazhet e një telefoni të klonuar të cilat dukej se tregonin se ish-kryeministri socialist, José Luis Rodríguez Zapatero, mund të kishte ndërmjetësuar për një hua – gjatë pandemisë – për një kompani ajrore spanjolle me lidhje me Venezuelën.

Pakkush në Madrid dyshon për motivin politik të këtij transferimi të informacionit, dhe stuhia politike që pasoi shoi pjesën më të madhe momentumit që Sánchezi kishte fituar nga qëndrimi i tij popullor kundër luftës – sepse Zapatero, një aleat kyç i tij, u vu nën hetim zyrtar.

Sulmi i koordinuar nga Trumpi dhe universi më i gjerë MAGA-s lidhur me krizën e Seutës, ngre gjithashtu mundësinë e përpjekjeve të mëtejshme të Uashingtonit për ta vënë politikisht në shënjestër Sánchezin përpara zgjedhjeve të përgjithshme spanjolle të vitit të ardhshëm.

Përpjekjet e tilla do të gjenin një partner të gatshëm brenda vendit te partia Vox, e cila është veçuar nga pjesa më e madhe e së djathtës populiste evropiane duke mbetur krah Trumpit pa e kritikuar, madje edhe gjatë luftës me Iranin.

Vox-i është partia me rritjen më të shpejtë në Spanjë që nga zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2023, mbështetja për të sillet në nivelet e larta të dyshifrore dhe do të luajë një rol vendimtar në çdo alternativë të ardhshme të djathtë ndaj qeverisë së Sánchezit.

Ndërsa ky kërcënim vazhdon të rëndojë në sfond, kryeministri spanjoll duhet të menaxhojë edhe marrëdhëniet me Marokun pas aktit të tij më të fundit të shtrëngimit.

Në vend që ta përballte publikisht Rabatin, Sánchezi i ka dhënë përparësi rivendosjes së bashkëpunimit dhe vënies së shpejtë nën kontroll të krizës, ndërsa shumica dërrmuese e rreth 72 mijë personave – që vlerësohet se mbërritën – u kthyen në Marok brenda 24 orësh. Megjithatë, ky pragmatizëm mbart rreziqe të dukshme.

Përballja e fundit e madhe mes Spanjës dhe Marokut, në vitet 2021-2022, përfundoi me një lëshim historik pasi Sánchezi braktisi dekada të tëra të neutralitetit spanjoll për Saharanë Perëndimore, për të mbështetur planin e Marokut për ta përfshirë ish-koloninë spanjolle si një rajon autonom brenda shtetit maroken.

Ngjarjet e javës së kaluar sugjerojnë se kjo strategji për marrëveshje nuk ka arritur të sjellë stabilitetin afatgjatë në marrëdhëniet që kërkonte Madridi. Partneri i koalicionit të majtë të Sánchezit, Sumar, tani po kërkon një qasje më të ashpër, përfshirë edhe refuzimin e Spanjës për të organizuar me Marokun Kupën e Botës 2030.

Motivet e sakta të Marokut për të vepruar pikërisht tani mbeten një objekt debati. Shpjegimi më i besueshëm lidhet me vizitën e Sánchezit në Algjer, dhjetë ditë më parë, për të vulosur afrimin e Spanjës me furnizuesin e saj kryesor të gazit, Algjerinë – e cila është gjithashtu rivali kryesor i Marokut për Saharanë Perëndimore.

Kriza e Seutës ka shumë të ngjarë të ketë qenë sjellja në mend nga regjimi maroken se çdo përpjekje e Madridit për të ribalancuar politikat e tij ndaj Afrikës së Veriut, mbetet e kushtëzuar nga ndikimi i Marokut mbi flukset migratore.

Ka të ngjarë gjithashtu që ajo të pasqyrojë ambicien afatgjatë të Marokut për t’i çuar përpara pretendimet e tij ndaj Seutës dhe Melilës, në një kohë kur kontrolli i pikave të kalimit detar – si Ngushtica e Gjibraltarit – ka marrë një rëndësi të re gjeopolitike.

Në kulmin e krizës, ministri spanjoll i Transportit, Óscar Puente – i njohur për stilin e tij luftarak – shkroi në rrjetet sociale se dëshironte “që Spanja të jetë një shtet sovran në një botë të ndërlidhur, jo një vartëse e Trumpit apo Netanyahut”.

Ndërsa një pjesë e madhe e klasës politike evropiane qëndron e shtrirë para Trumpit, Sánchezi ka qenë udhëheqësi më i zëshëm perëndimor, i gatshëm ta sfidojë Uashingtonin jo vetëm për Iranin, por edhe duke kundërshtuar objektivin prej pesë përqind të shpenzimeve për mbrojtjen, duke i bërë thirrje BE-së t’i japë fund marrëveshjes së asociimit me Izraelin dhe duke forcuar lidhjet me Kinën dhe vendet e Jugut Global.

Ky nuk është ndonjë tregues i radikalizmit të Sánchezit, sa është bast i tij se Spanja ka më shumë për të fituar duke iu përshtatur gjeografisë së re të pushtetit ekonomik botëror sesa duke u kapur pas rendit të vjetër atlantik. Seuta, megjithatë, është një kujtesë se një bast i tillë është i mbushur me rreziqe.

Burimi: Telegrafi