Gianni Infantino ka kërkuar falje për “gabimet” që bëri me planet kundërthënëse për shitjen e aksioneve të garave te investitorët privatë, por do të mbetet president i FIFA-s pasi mori mbështetjen e drejtuesve të lartë në një takim në Marok, raporton BBC .
Infantino thirri anëtarët e bordit drejtues në zyrën e FIFA-s për Afrikën në Rabat të mërkurën (), pas kritikave në rritje për propozimet e tij të anuluara, me organin drejtues të futbollit botëror që lëshoi një deklaratë mbështetjeje katër orë pas përfundimit të takimit.
Organi drejtues i futbollit europian, UEFA, ka theksuar në fundjavë se ka humbur besimin te Infantino, duke e quajtur propozimin e FIFA Forward Enterprise (FFE) “marrëveshje të mjerë, të fshehtë dhe të errët”. Shumë kritika kanë ardhur nga brenda FIFA-s, përfshirë sekretarin e përgjithshëm, Mattias Grafstrom, i cili ishte në takimin e së mërkurës.
Në një memo të brendshme dërguar stafit të FIFA-s të martën, ai ka shkruar se situata është “një vazhdë ngjarjesh të trishtueshme dhe të qortueshme”. Megjithatë, në një deklaratë pas takimit, Grafstrom dhe bordi drejtues “riafirmuan mbështetjen e tyre të plotë” për Infantinon si president.
Infantino dhe Grafstrom ua dërguan gjithashtu një letër të nënshkruar – të siguruar nga BBC – te nënkryetarëve të FIFA-s, këshillit dhe 211 shoqatave anëtare, duke thënë se “kërkojnë ndjesë sinqerisht” për gabimet e tyre dhe “angazhohen që ato të mos ndodhin përsëri”. Të dy u fotografuan duke ndjekur së bashku një ndeshje të Kupës së Kombeve të Afrikës për femra në Rabat pas takimit.
Infantino u kishte ofruar të gjitha shoqatave 40 milionë dollarë nëse do të mbështesnin një propozim për investime private në turnetë e saj, duke përfshirë Kupën e Botës për meshkuj dhe femra, përmes një dege të re, FFE.
FIFA ka njoftuar se gjatë takimit të së mërkurës “gabimet” në lidhje me FFE-në “u pranuan”, duke thënë se “nuk ishte qëllimi” që këshilli dhe shoqata anëtare e FIFA-s të “ndiheshin të përjashtuara nga procesi dhe se procesi duhej të ishte trajtuar ndryshe”.
Organi drejtues ka shtuar se “ka pranuar se gabime u bënë edhe pasi propozimi u zbulua në media” – me gazetën “The Times” që publikoi shkrimin për planin e Infantinos më 28 korrik.
Megjithatë, deklarata shkruan gjithashtu se organizata “nuk do të tolerojë më asnjë sulm ndaj integritetit, qeverisjes së mirë dhe procesit të rregullt ligjor dhe do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur dhe ruajtur emrin dhe reputacionin e saj”.
Më parë, FIFA kishte mohuar një shkrim të “The Timesit” se Infantino i kishte premtuar Marokut se do të organizonte finalen e Kupës së Botës 2030 në këmbim të mbështetjes së saj. FIFA ka deklaruar se ishte një pretendim “i rremë dhe mashtrues” dhe se vendimi se ku do të zhvillohet finalja, me turneun e organizuar gjithashtu nga Spanja dhe Portugalia, do të merret “në kohën e duhur”.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com
