Kryeministri Hristijan Mickoski foli sot lidhur me akuzat e fundit të opozitës për raportin më të ri të Eurostatit, që ka të bëjë me fuqinë blerëse të qytetarëve në vendet e Evropës. “Sa i përket raportit të Eurostatit për fuqinë blerëse, ditëve të fundit pati disa mesazhe nga opozita dhe nga disa media që kanë të njëjtin qëndrim me opozitën.
U zhvillua një fushatë sipërfaqësore, e cila sërish u demantua, dhe sërish, mendoj, opozita dhe një pjesë e mediave do të jenë të zhgënjyera, sepse Maqedonia nuk është më e dobëta, por është më e mirë se disa vende të Bashkimit Evropian dhe, do të thosha, para të gjitha vendeve të rajonit sa i përket fuqisë blerëse të qytetarëve”, deklaroi Mickoski.
Kryeministri theksoi se personalisht vëren dallim të qartë krahasuar me gjendjen e tre‑katër viteve më parë dhe se përparimi i vendit është i dukshëm, por shtoi se kjo ende nuk është e mjaftueshme dhe se ai dhe Qeveria do të vazhdojnë të punojnë me përkushtim për përmirësimin e standardit të qytetarëve dhe zhvillimin e vendit.
“Nëse krahasohet me shifrat e tre‑katër viteve më parë, mund të vërehet përparim i rëndësishëm. A është kjo e mjaftueshme? Nuk është. A do të punojmë për më shumë dhe më mirë? Absolutisht – jemi të motivuar si kurrë më parë.
Ata do të vazhdojnë të krijojnë histeri mbi bazë konstruktesh dhe gënjeshtrash, ndërsa ne do t’i përveshim mëngët, ashtu siç kemi bërë këto 25 muaj, dhe do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim për vendin dhe qytetarët”, përfundoi kryeministri Mickoski.
