Kuvendi njofton për ndërprerjen e seancës, pa dhënë datë për vazhdimin

0%

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se në seancën e sotme konstituive deputetët e Legjislaturës XI dhanë betimin, por procesi nuk u përmbyll pasi nuk u propozua kandidati për kryetar të Kuvendit. Seanca u drejtua nga deputeti më i vjetër, Avni Dehari, i shoqëruar nga deputetja më e re, Fatma Taçi.

Fillimisht u formua Komisioni i përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve, ndërsa më pas u miratua raporti i tij dhe deputetët dhanë betimin. Në pikën e tretë të rendit të ditës, që kishte të bënte me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, fjalën e mori kryeministri në detyrë dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Ai nuk propozoi kandidat për kryetar të Kuvendit, por kërkoi kohë shtesë për vazhdimin e bisedimeve me partitë parlamentare rreth zgjedhjes së presidentit të ri të vendit. Kurti tha se kishte zhvilluar takime me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku, ndërsa shtoi se synohen bisedime edhe me PDK-në dhe AAK-në.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Konstituimi kësaj radhe nuk bën të jetë sërish drejt edhe një shpërndarjeje të Kuvendit dhe përsëri zgjedhjeve të parakohshme, të paarsyeshme, të panevojshme për qytetarët e të dëmshme për ekonominë”, deklaroi Kurti. Ai kërkoi që partive t’u jepej më shumë kohë për arritjen e një marrëveshjeje sa më të gjerë për presidentin ose presidenten e re.

Pas fjalimit të Kurtit, kryesuesi Avni Dehari tha se, meqë subjekti më i madh parlamentar nuk kishte propozuar kandidat për kryetar të Kuvendit, ishte i obliguar ta ndërpriste seancën. Kuvendi nuk ka bërë të ditur se kur do të vazhdojë seanca konstituive, ndërsa sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, afati për konstituimin e Kuvendit përfundon nesër.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com