Që nga përfundimi i luftës, Kosova ka përjetuar një numër shqetësues aksidentesh hekurudhore, shumë prej tyre me pasoja tragjike dhe materiale. Paradoksi është i rëndë: një vend i vogël, me pak trena dhe me një rrjet të kufizuar hekurudhor, vazhdon të numërojë viktima, ndërsa kambana e alarmit bie zakonisht vetëm pasi e keqja ka ndodhur.
Edhe sot, më , u raportua një aksident i ri në Fushë-Kosovë, ku një tren u përplas me një veturë. Ngjarja e sotme nuk është vetëm një lajm tjetër i kronikës së zezë, por një paralajmërim i përsëritur se siguria në vendkalimet hekurudhore vazhdon të jetë një çështje që kërkon ndërhyrje të menjëhershme institucionale.
Në një shtet funksional, hekurudha duhet të jetë shenjë zhvillimi, lidhjeje dhe sigurie. Në Kosovë, ajo është shndërruar shumë herë në një vijë rreziku që kalon përmes qyteteve, fshatrave, fushave dhe zonave malore, aty ku rrugët kryqëzohen me binarët dhe ku qytetari shpesh mbetet i vetëm përballë rrezikut.
Përgjegjësia institucionale nuk përfundon me nisjen e lokomotivës dhe as me mbërritjen e saj në destinacion. Ajo shtrihet përgjatë çdo metri të hekurudhës dhe në çdo vendkalim ku qarkullojnë këmbësorë, automjete, nxënës, bujq dhe familje të tëra.
Trainkos Sh.A., si operator i transportit hekurudhor, Infrakos Sh.A., si administrues i infrastrukturës hekurudhore, institucionet shtetërore dhe komunat përkatëse nuk mund ta shohin sigurinë vetëm si çështje të përgjegjësisë individuale të qytetarëve. Aty ku mungojnë rampat, sinjalizimi, ndriçimi dhe mbikëqyrja, rreziku nuk mund të quhet thjesht rastësi.
Kur një pikë e rrezikshme njihet prej vitesh, kur banorët paralajmërojnë dhe kur aksidentet përsëriten, atëherë nuk kemi të bëjmë më vetëm me fatkeqësi. Kemi të bëjmë me dështim institucional. Populli ynë thotë: “Mos e lër pusin të hapur pa kapak, sepse mund të vijë e keqja”.
Mirëpo, pikërisht kështu po veprohet shpesh: vendkalimet lihen pa mbrojtje, sinjalet mungojnë ose nuk funksionojnë, ndërsa masat kërkohen vetëm pasi një jetë shuhet. Më pas vijnë deklaratat, ngushëllimet dhe premtimet, kurse përgjegjësia shpërndahet ndërmjet institucioneve derisa të mos i mbetet askujt. Jeta e qytetarit nuk mund të humbasë në labirintin e kompetencave.
Familjes së viktimës nuk i intereson se kujt i takonte vendosja e rampës, kush duhej ta mirëmbante sinjalizimin apo cili institucion duhej ta kontrollonte vendkalimin. Ajo mbetet me një karrige të zbrazët në sofrën familjare dhe me një dhimbje që nuk mbyllet me asnjë raport zyrtar. Kosova ka pak trena, por tepër shumë dhimbje të lidhura me ta.
Në kuptimin më të hidhur të ironisë, ky realitet mund të quhej një “rekord” për Librin e Guinness-it. Mirëpo, pas këtij rekordi nuk ka medalje, duartrokitje apo krenari. Ka jetë të humbura, njerëz të plagosur, familje në zi dhe institucione që vazhdojnë ta shtyjnë përgjegjësinë nga njëra zyrë në tjetrën.
Vetëm gjatë muajve të fundit janë raportuar disa përplasje ndërmjet trenave dhe automjeteve në pjesë të ndryshme të Kosovës, përfshirë Klinën, Drenasin, Grabovcin dhe Fushë-Kosovën. Ky varg aksidentesh tregon se nuk bëhet fjalë për raste të izoluara, por për një problem të vazhdueshëm sigurie që kërkon trajtim të koordinuar dhe urgjent.
Çdo aksident fatal është më shumë se një lajm në kronikën e zezë. Është dëshmi se diku ka munguar parandalimi, kujdesi ose veprimi në kohë. Është një pyetje e rëndë drejtuar shtetit: Sa jetë duhet të humbasin që një rampë të vendoset, një sinjal të riparohet dhe një vendkalim të bëhet i sigurt?
Infrakos Sh.A., Trainkos Sh.A., ministritë përgjegjëse dhe komunat përkatëse duhet ta bëjnë publike gjendjen e të gjitha vendkalimeve hekurudhore në Kosovë. Duhet të hartohet një regjistër i plotë i tyre, të përcaktohen pikat me rrezikshmërinë më të lartë dhe të publikohet një plan konkret ndërhyrjeje.
Në çdo vendkalim të frekuentuar duhet të vendosen rampat, sinjalizimi zanor dhe ndriçues, shenjat paralajmëruese dhe, aty ku është e nevojshme, mbikëqyrja fizike ose elektronike. Duhet gjithashtu të caktohet qartë se cili institucion është përgjegjës për instalimin, mirëmbajtjen, kontrollin dhe funksionimin e secilit mekanizëm sigurie.
Nuk mjafton që qytetarëve t’u kërkohet vetëm të kenë kujdes. Kujdesi individual është i domosdoshëm, por nuk mund të përdoret si arsyetim për mungesën e masave institucionale. Qytetari duhet t’i respektojë rregullat, ndërsa shteti duhet t’i krijojë kushtet që ato të mund të respektohen.
Siguria kërkon përgjegjësi të dyanshme, por përgjegjësia më e madhe u përket atyre që kanë mandatin, buxhetin dhe kompetencën për ta parandaluar rrezikun. Një rampë e vendosur në kohë kushton më pak se një ceremoni mortore. Një sinjal i mirëmbajtur vlen më shumë se dhjetëra deklarata ngushëllimi. Një vendim i marrë sot mund ta shpëtojë një familje nga zia e nesërme.
Aksidenti i sotëm në Fushë-Kosovë duhet të shërbejë si alarmi i fundit, jo si hyrje në tragjedinë e radhës. Nuk guxojmë të presim që një tjetër veturë të mbetet mbi binarë, që një tjetër familje të marrë lajmin e zi dhe që institucionet të dalin përsëri me deklarata të njëjta. Prandaj, duhet ti çelim sytë përpara se të ndodhë tragjedia e radhës.
Sepse, kur treni ecën mbi shina, ndërsa përgjegjësia del prej tyre, nuk dështon vetëm sistemi hekurudhor: dështon shteti në detyrën e tij më themelore-mbrojtjen e jetës së qytetarit. Klinë, më
