Projekti rajonal “Keeping Children Safe in Sports 2.0 (KCSS 2.0)”, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian, synon të forcojë mbrojtjen e fëmijëve dhe krijimin e një mjedisi më të sigurt në sport. Projekti fokusohet në parandalimin, identifikimin e hershëm dhe reagimin ndaj rasteve të dhunës dhe abuzimit në mjediset sportive dhe rekreative.
Në kuadër të tij, Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) është pjesë e Bordit Teknik Këshillues, së bashku me institucione dhe organizata të tjera që merren me sportin dhe mbrojtjen e fëmijëve.
Përmes projektit parashihet trajnimi i trajnerëve dhe profesionistëve që punojnë me fëmijë, zhvillimi i procedurave për raportimin dhe referimin e rasteve, si dhe organizimi i sesioneve edukative për fëmijët dhe prindërit. Gjithashtu, vendet partnere do të shkëmbejnë praktikat më të mira për të përmirësuar politikat dhe standardet e sigurisë në sport.
FBK thekson se përfshirja në këtë projekt është pjesë e angazhimit për të garantuar mirëqenien, sigurinë dhe zhvillimin e fëmijëve që merren me basketboll.
