Lara Gut-Behrami i dha fund karrierës në skijim në mënyrë të papritur në moshën 35-vjeçare. Vendimi erdhi pas muajsh të tërë përpjekjesh për t’u rikthyer në gara pas dëmtimit të rëndë në gju që pësoi gjatë një stërvitjeje në nëntor të vitit 2025. Edhe pse ajo luftoi deri në fund për t’u rikuperuar, trupi nuk i lejoi më të garonte në nivelin që kërkonte.
Madje edhe drejtuesit e Swiss-Ski nuk ishin në dijeni të vendimit. Hans Flatscher, drejtori i sektorit të skive alpine dhe një nga njerëzit më të afërt të Gut-Behramit në federatë, tha se njoftimi ishte i papritur, megjithëse e dinte se gjendja e saj fizike nuk ishte ideale.
Vetëm pak orë para njoftimit të pensionimit, gazeta ‘Tages-Anzeiger’ kishte shkruar se Gut-Behrami po vazhdonte stërvitjet për rikthimin dhe se, nëse gjuri do ta lejonte, ajo do të rikthehej në gara. Në mbrëmje erdhi lajmi që befasoi opinionin sportiv: ajo njoftoi fundin e karrierës. Për muaj të tërë Gut-Behrami kishte punuar intensivisht për rikthimin.
Dëmtimi në gju nuk duhej të ishte fundi i karrierës së saj. Ajo nuk donte ta mbyllte rrugëtimin në këtë mënyrë dhe kishte si objektiv të rikthehej mbi ski në fund të korrikut. Megjithatë, procesi i rikuperimit nuk eci sipas planit dhe madje u bë e qartë se edhe kampi stërvitor në Amerikën e Jugut, i planifikuar për 20 gusht, ishte jashtë mundësive të saj.
Hans Flatscher shpjegoi se gjendja shëndetësore e Larës nuk ishte e mirë dhe mendimi për tërheqje kishte filluar të piqej gjatë javëve të fundit. Sipas tij, mund të ketë ndodhur edhe një përkeqësim tjetër i gjurit, që e shtyu të merrte vendimin përfundimtar.
Në sezonin e fundit të plotë, 2024/25, Gut-Behrami grumbulloi 1.349 pikë në Kupën e Botës, rreth një të tretën e të gjitha pikëve të fituara nga ekipi zviceran i femrave. Nëse edhe Michelle Gisin do të vendosë të tërhiqet pas dëmtimit të rëndë të pësuar në dhjetor, kjo do të ishte një goditje e madhe për Swiss-Ski, sidomos vetëm pak muaj para Kampionatit Botëror në Crans-Montana.
