Policia e Kosovës ka njoftuar se më 6 gusht, përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim dhe bashkëpunim me njësitë tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, është realizuar ekstradimi i një shtetasi kosovar nga Spanja në Kosovë.
Sipas njoftimit, i dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet spanjolle, pasi kërkohej përmes INTERPOL-it me letër rreshtim ndërkombëtar, të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës për veprën penale “Vrasje e mbetur në tentativë”.
Policia bëri të ditur se ekstradimi është realizuar bazuar në ligjet në fuqi dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Spanjës. Pas ekstradimit, i dyshuari u është dorëzuar njësive përkatëse të Policisë së Kosovës në Rajonin e Prishtinës për vazhdimin e procedurave të mëtejshme ligjore.
Policia e Kosovës theksoi se do të vazhdojë shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale, si dhe gjurmimin, kapjen dhe arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit.
