Edhe CONMEBOL-i kundër Infantinos

0%

Kriza që ka përfshirë FIFA-n po zgjerohet, teksa pas UEFA-s edhe Konfederata e Futbollit të Amerikës së Jugut (CONMEBOL) ka dalë me një deklaratë kritike ndaj mënyrës se si është drejtuar organizata nga presidenti Gianni Infantino.

Këshilli i CONMEBOL-it ka bërë thirrje për ruajtjen e unitetit të familjes së futbollit, duke kërkuar përgjegjësi institucionale, forcimin e dialogut dhe respektimin e plotë të mekanizmave të qeverisjes.

“Futbolli vjen para gjithçkaje”, thuhet në deklaratë, ku organizata mirëpret vendimin e FIFA-s për të tërhequr propozimin e saj të diskutueshëm, por njëkohësisht shpreh unanimisht shqetësimin për veprimet e njëanshme të ndërmarra pa dialog dhe pa respektuar procedurat institucionale të parashikuara për raste të tilla.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas CONMEBOL-it, drejtuesit e organizatave të futbollit duhet gjithmonë t’i japin përparësi dialogut, respektimit të rregullave dhe bashkëpunimit konstruktiv. “Kur këto parime shpërfillen, dëmtohet futbolli dhe humbasim të gjithë”, theksohet më tej në reagim.

Në fund të deklaratës, CONMEBOL kujton se futbolli u përket të gjithëve dhe se e ardhmja e tij mund të ndërtohet vetëm mbi respektimin e institucioneve, rregullave të qeverisjes dhe procedurave demokratike që përfaqësojnë 211 federatat anëtare të FIFA-s.

Konfederata amerikano-jugore rikujtoi gjithashtu se afati i fundit për paraqitjen e kandidaturave për postin e presidentit të FIFA-s është 18 nëntori 2026, ndërsa më pas Kongresi i FIFA-s do të zgjedhë me votën e 211 federatave drejtuesin e ri të organizatës, i cili do të ketë përgjegjësinë edhe për organizimin e Kupës së Botës 2030.

“Për këtë arsye, CONMEBOL nuk do të mbështesë asnjë veprim apo procedurë që anashkalon ose shmang mekanizmat institucionalë”, përfundon deklarata.

Burimi: Bota Sot