Demo Berisha kërcënon Ragmi Mustafin me padi, pas përplasjes në

0%

Një debat publik në rrjetet sociale mes ministrit për të Drejtat e Njeriut, Pakicave dhe Dialogut Social në Qeverinë e Serbisë, Demo Berisha, dhe ish-kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, aktualisht këshilltar i kryeministrit në detyrë të Kosovës, Ragmi Mustafi, ka përfunduar me kërcënimin e ministrit serb për padi në Gjykatën e Bujanocit.

Përplasja nisi pasi Mustafi publikoi një status në Facebook, ku akuzoi institucionet serbe se përmes procesit të pasivizimit të adresave po synojnë të zvogëlojnë peshën elektorale të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Sipas tij, pasivizimi i adresave nuk është një procedurë administrative, por një mekanizëm që ndikon drejtpërdrejt në përfaqësimin politik të shqiptarëve.

“Pasivizimi i adresave nuk ka të bëjë vetëm me rregullimin e evidencave administrative, por me zvogëlimin e peshës elektorale të shqiptarëve në një komunë ku ata përbëjnë rreth 62 për qind të popullsisë”, shkroi Mustafi.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ai shtoi se procedurat nisen nga institucionet shtetërore, kontrollet kryhen nga policia, ndërsa pasojat i bartin qytetarët shqiptarë, të cilët, sipas tij, mbeten pa dokumente, pa njoftime dhe përballen me vështirësi për të dëshmuar vendbanimin e tyre. Pas këtij reagimi, ministri Berisha iu përgjigj shkurt në Facebook me komentin: “Vapë e madhe në Prishtinë. Klm Ragmi.”

Mustafi reagoi menjëherë, duke e quajtur Berishën “fundërrinë politike” dhe duke e akuzuar se, në vend që të mbrojë të drejtat e pakicave, po mbështet politika diskriminuese ndaj shqiptarëve. “Vapa kalon, ministër. Turpi i një ministri që duartroket pasivizimin e shqiptarëve mbetet.

Në vend të batutave të lodhta nga Beogradi, përgjigjuni: pse po e mbështetni zvogëlimin e votës shqiptare?”, shkroi ai. Në përgjigje, Berisha paralajmëroi padi, duke shkruar: “Për këtë deklaratë të rrejshme shihemi në Gjykatën e Bujanocit.” Mustafi u shpreh se nuk frikësohet nga kërcënimi me padi, duke kujtuar se më parë është përballur disa herë me procese gjyqësore në Serbi.

“Pesë herë më kanë dënuar për ngritjen e flamurit kombëtar shqiptar. Me Aleksandar Vulin jam përballur në gjykatë për gjuhën e urrejtjes dhe ende presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Serbisë. Kërcënimet tuaja me padi nuk më bëjnë asnjë përshtypje “, shkroi ai.

Në reagimin e tij, Mustafi i bëri thirrje ministrit serb që, në vend të padive, të angazhohet për hapjen e dosjeve ushtarake dhe shtetërore të Serbisë lidhur me krimet e luftës dhe varrezat masive në Kosovë. “Familjet e viktimave presin të vërtetën. Sa më përket mua, kam hyrë në gjykata për flamurin, dinjitetin e shqiptarëve dhe të vërtetën.

Nuk trembem sot nga një ministër që, kur i shterojnë argumentet, strehohet pas padisë”, përfundoi Mustafi. Kujtojmë se Demo Berisha është një oficer i lindur në Pejë, por që karrierën politike e ka zhvilluar në Serbi.

Ka shërbyer si oficer në ushtrinë jugosllave dhe njihet për qëndrimet e tij të afërta me presidentin Vuçiq duke e kundërshtuar pavarësinë e Kosovës, ndërsa për shqiptarët e Luginës së Preshevës është figurë e papranueshme.

Burimi: Bota Sot