Konstituimi i Kuvendit të Kosovës, si hapi i parë drejt formimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve, është përballur me një bllokadë politike, pasi seanca konstituive e 6 gushtit nuk arriti të përmbyllet me zgjedhjen e strukturave udhëheqëse të legjislativit.
Pas betimit të deputetëve të rinj, kryesuesi i seancës vendosi shtyrjen e saj, me kërkesë të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, me arsyetimin për t’i dhënë hapësirë arritjes së një marrëveshjeje politike me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Megjithatë, përkundër përpjekjeve negociuese, dy partitë ende nuk kanë arritur një marrëveshje, ndërsa afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit po afron. Mosmarrëveshjet mes partive janë thelluar edhe më shumë nga kërkesa e LDK-së për të marrë postin e presidentit të vendit, një çështje që mund ta komplikojë edhe më tej procesin e arritjes së një ujdie politike.
Për këtë çështje, për “Bota sot” foli publicisti Lis Bukuroca. Sipas tij, kriza politike në Kosovë rrezikon të zgjasë edhe më tej, ndërsa përgjegjësinë kryesore për situatën aktuale ai ia atribuon partive opozitare, të cilat, sipas tij, nuk po e pranojnë ndryshimin e raporteve politike pas zgjedhjeve. Lis Bukuroca.
Bukuroca vlerëson se Lëvizja Vetëvendosje ka fituar zgjedhjet dhe qytetarët i kanë dhënë mandatin për të udhëhequr procesin e formimit të qeverisë, ndërsa në një sistem demokratik funksional zgjedhja e kryetarit të Kuvendit do të duhej të ishte një procedurë që nuk do të shndërrohej në pengesë institucionale. “Gjendja politike në Kosovë duket se nuk do të zgjidhet së shpejti.
Kriza institucionale ka gjasa të vazhdojë edhe këtë vit. Problemi kryesor, sipas meje, qëndron te partitë opozitare. Vetëvendosje ka fituar zgjedhjet dhe qytetarët i kanë dhënë mandatin për të formuar qeverinë. Në një demokraci funksionale, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit do të ishte pothuajse një procedurë formale.
Mirëpo, tri partitë opozitare, të cilat deri në vitin 2020 kanë qenë pjesë e pushtetit, nuk duken të gatshme të pranojnë ndryshimin e raporteve politike”, deklaroi ai.
Publicisti thekson se, sipas tij, gjatë viteve të kaluara është krijuar një sistem ku institucionet e drejtësisë nuk kanë funksionuar gjithmonë sipas parimeve të plota të shtetit ligjor, gjë që ka ndikuar edhe në qëndrimin e partive opozitare ndaj reformave të mundshme.
Sipas Bukurocës, kundërshtimi ndaj ndryshimeve të thella në sistemin e drejtësisë lidhet me interesat politike të krijuara ndër vite. “Gjatë atyre viteve është ndërtuar një sistem ku gjykatat, prokuroria dhe një pjesë e drejtësisë kanë funksionuar më shumë në përputhje me interesat e elitave politike sesa me parimet e shtetit ligjor.
Pikërisht për këtë arsye, ato e shohin me rezervë çdo përpjekje për reforma të thella në drejtës i”, u shpreh ai. Duke komentuar rolin e LDK-së në negociatat për konstituimin e Kuvendit, Bukuroca ka kritikuar qasjen e kryetarit të saj, Lumir Abdixhiku, duke vlerësuar se deklaratat për gatishmëri për bashkëpunim nuk përputhen me veprimet politike.
Ai thotë se LDK-ja, nëse do ta kishte prioritet funksionimin e institucioneve, do të duhej të kontribuonte në zhbllokimin e procesit dhe jo të vendoste kushte politike. “Lumir Abdixhiku, nuk po tregohet i sinqertë në takimet politike.
Ai mbeti larg rezultatit që priste në zgjedhje dhe tani përpiqet të krijojë përshtypjen e një politikani konstruktiv, i gatshëm të ndihmojë në formimin e institucioneve. Megjithatë, synimi i tij kryesor është të krijojë distancë nga partitë e tjera opozitare, pa ndryshuar në thelb qëndrimin bllokues.
Nëse LDK-ja do ta kishte prioritet funksionimin e shtetit dhe të institucioneve, do të kontribuonte në zhbllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit. E njëjta gjë vlen edhe për partitë e tjera opozitare. Fatkeqësisht, asnjëri prej tre liderëve opozitarë nuk duket se e ka interesin shtetëror mbi interesin partiak”, deklaroi ai.
Më tej, publicisti vlerëson se kriza aktuale mund të zgjidhet, por mungesa e vullnetit politik dhe përplasjet partiake mund ta zgjasin atë. Sipas tij, përpjekjet për të dobësuar pozicionin politik të kryeministrit Albin Kurti po vendosen mbi nevojën për krijimin e institucioneve funksionale. “Prandaj, edhe pse kjo krizë mund të zgjidhet relativisht lehtë, unë besoj se ajo do të vazhdojë.
Arsyeja është se dëshira për të dobësuar ose për t’i imponuar kushte Albin Kurtit duket se është më e madhe sesa vullneti për të ndërtuar institucione funksionale dhe një shtet të së drejtës”, theksoi Bukuroca. Në fund, ai paralajmëron se pasojat e një zgjatjeje të krizës institucionale nuk prekin vetëm partitë politike, por funksionimin e përgjithshëm të shtetit dhe qytetarët.
“Lufta politike mes partive nuk duhet të bëhet pengesë për funksionimin e institucioneve. Në fund, humbësi më i madh nuk është një parti politike, por vetë shteti i Kosovës dhe qytetarët e sa j”, përmbylli Lis Bukuroca për “Bota sot”.
