Vizita e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bosnje dhe Hercegovinë është shoqëruar me polemika, pasi autoritetet boshnjake raportuan për praninë e personave të armatosur që nuk ishin pjesë e sigurimit zyrtar të presidentit serb.
Sipas raportimeve të medias serbe Nova.rs, banorë të zonës së Bugojnos njoftuan se një grup burrash të armatosur, disa prej tyre me motoçikleta katërrrotëshe (ATV), po patrullonin në zonë duke u prezantuar si pjesë e sigurimit të Vuçiqit, transmeton KosovaPress.
Pas verifikimeve të autoriteteve të sigurisë në Bosnje dhe Hercegovinë, u konstatua se ata nuk i përkisnin ekipit zyrtar të sigurimit. Ministri i Mbrojtjes i Bosnje dhe Hercegovinës, Zukan Helez, deklaroi se personat u larguan menjëherë pasi u lokalizuan nga njësitë speciale të policisë së Kantonit të Bosnjës Qendrore.
Ai theksoi se askush, përfshirë edhe presidentin e Serbisë, nuk mund të sjellë në territorin e Bosnje dhe Hercegovinës grupe të armatosura pa njoftim paraprak dhe jashtë procedurave që rregullojnë sigurimin e zyrtarëve të huaj. Helez tha se raste të tilla nuk janë më befasi kur bëhet fjalë për vizitat e Vuçiqit në rajon.
“Për Aleksandar Vuçiqin, këto situata fatkeqësisht nuk janë asgjë e re. Vizitat e tij në rajon shpesh shoqërohen me tensione politike dhe veprime që ngrenë pikëpyetje për respektimin e institucioneve dhe procedurave të shteteve nikoqire”, deklaroi ai.
Ky incident vjen rreth dy muaj pas ngjarjes në Tivat të Malit të Zi, kur autoritetet malazeze kthyen më shumë se 80 shtetas të Serbisë, të cilët ishin nisur për të mbështetur Vuçiqin gjatë Samitit BE-Ballkani Perëndimor. Në atë kohë, presidenti serb kishte deklaruar se ata kishin udhëtuar pa dijeninë e tij.
Ndërkaq, diplomati serb Sreçko Gjukiq ka vlerësuar se pothuajse çdo vizitë e Vuçiqit në vendet fqinje po shndërrohet në incident politik dhe problem sigurie. Sipas tij, presidenti serb përpiqet që paraqitjet në zonat ku jetojnë serbë jashtë Serbisë t’i përdorë për të paraqitur veten si përfaqësues të tyre politik, qasje që, sipas Gjukiqit, dëmton marrëdhëniet me shtetet fqinje.
Ai kritikoi edhe narrativën se “tokat serbe janë aty ku jetojnë serbët”, duke e cilësuar atë si cenim të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendeve fqinje. “Është një sjellje arrogante e udhëheqjes shtetërore, që përbën një problem serioz politik dhe të sigurisë”, tha Gjukiq.
Sipas diplomatit serb, politika e ndjekur nga presidenti Aleksandar Vuçiq po e pozicionon Serbinë si një faktor destabilizues në rajon dhe po krijon tensione të panevojshme me shtetet fqinje.
