Një 38-vjeçar është arrestuar pranë fushës së golfit të presidentit amerikan Donald Trump në “Rancho Palos Verdes”, Kaliforni, vetëm pak ditë para vizitës së planifikuar të presidentit në këtë kompleks.
Sipas autoriteteve, Jeanine John Taele, banues në Downey, u vu në pranga pasi u pa duke bërë fotografi dhe video në ambientet e klubit të golfit, ndërsa dyshohet se po monitoronte masat e sigurisë. Ai mbante gjithashtu një kufje në vesh, gjë që ngriti dyshimet e agjentëve federalë.
Prokuroria amerikane njoftoi se Taele u rikthye në klub të dielën, ku iu afrua agjentëve federalë dhe pretendoi se punonte për Departamentin e Shtetit dhe ndodhej aty si pjesë e një ekipi sigurie. Më pas ai pranoi se kishte një armë të mbushur në automjetin e tij.
Gjatë kontrollit, policia i gjeti një karikator me 16 fishekë në xhep, ndërsa në automjet u sekuestruan një pistoletë 9 mm e mbushur, karikatorë shtesë me fishekë, dylbi dhe një distinktiv ku shkruhej “Security Protection Agent”.
Një kontroll i mëvonshëm në banesën e tij në Downey zbuloi një arsenal armësh dhe pajisjesh, përfshirë një pushkë AR të modifikuar ilegalisht; një pistoletë; jelek antiplumb; karikatorë me kapacitet të lartë; sasi të mëdha municionesh; dy pajisje radio-komunikimi; disa fletore me shënime që autoritetet i cilësuan shqetësuese.
Sipas autoriteteve, Taele ishte gjithashtu nën hetim për një grabitje të ndodhur gjatë vitit 2025. Ai përballet me akuza shtetërore dhe federale për posedim të një pushke të paregjistruar me tytë të shkurtër. Nëse shpallet fajtor për akuzën federale, ai rrezikon deri në 10 vjet burg.
Rasti po hetohet nga FBI-ja dhe Shërbimi Sekret i Shteteve të Bashkuara, ndërsa i dyshuari mbetet në paraburgim. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
