Dhuna në familje po bëhet përditshmëri në Kosovë, disa raste brenda

0%

Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga fenomenet më shqetësuese në Kosovë, ndërsa rastet e raportuara në Policinë e Kosovës po bëhen pothuajse të përditshme. Vetëm në raportin e fundit 24-orësh të policisë janë evidentuar gjashtë raste, kryesisht në Prishtinë dhe Pejë, ku disa persona janë arrestuar, ndërsa viktimat kanë pësuar dhunë fizike dhe psikike.

Tri rastet e para janë raportuar në Prishtinë. Në një rast, një burrë u arrestua pasi, nën ndikimin e alkoolit, dyshohet se ushtroi dhunë psikike ndaj një anëtari të familjes. Policia njoftoi se ai tentoi edhe ta lëndonte veten, ndaj iu ofrua trajtim mjekësor, ndërsa më pas u dërgua në mbajtje.

Në një rast tjetër, një burrë u arrestua nën dyshimin se ushtroi dhunë fizike dhe psikike ndaj bashkëshortes së tij. Viktima mori trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari u ndalua me urdhër të prokurorit. Po në Prishtinë, një tjetër i dyshuar u arrestua pasi dyshohet se kishte demoluar orenditë e shtëpisë dhe kishte shtyrë një grua, e cila pësoi lëndime.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Viktima refuzoi trajtimin mjekësor, ndërsa pas intervistimit, i dyshuari u lirua në procedurë të rregullt. Ndërkohë, në Pejë u raportuan dy raste të tjera të dhunës në familje. Në njërin prej tyre u arrestua një grua, e cila dyshohet se ushtroi dhunë fizike dhe psikike ndaj një burri.

Viktima mori trajtim mjekësor, ndërsa, bazuar në raportin e mjekut psikiatër, e dyshuara u dërgua në repartin e psikiatrisë për trajtim. Rasti tjetër në Pejë ka të bëjë me një burrë që dyshohet se sulmoi fizikisht një grua dhe një burrë. Gjatë arrestimit, policia i sekuestroi një thikë. Të dy viktimat morën trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari u dërgua në mbajtje.

Po ashtu, në raportin e policisë figuron edhe një rast kanosjeje në Prishtinë, ku një shtetas i huaj u arrestua pasi dyshohet se kishte kërcënuar një qytetar përmes rrjeteve sociale. Numri i rasteve të raportuara vetëm gjatë 24 orëve të fundit rikthen në vëmendje përmasat e dhunës në familje në Kosovë dhe nevojën për masa më efektive parandaluese.

Kujtojmë se sipas të dhënat statistikore, dhuna në familje në Kosovë po shënon rritje alarmante. Nga janari deri në tetor të vitit 2025 janë raportuar mbi 2,400 raste, ku shumica dërmuese e viktimave janë femra. Ndërkaq, gjatë periudhës 2023–2025 janë raportuar mbi 8 mijë raste të dhunës në familje.

Burimi: Bota Sot