Nis asfaltimi i rrugës “Ilir Konushevci” pas përplasjeve për

0%

Ka hyrë në fazën e asfaltimit rruga “Ilir Konushevci” në Prishtinë, në segmentin pranë Xhamisë së Llapit, pas dy javësh mbyllje dhe përplasjeve të vazhdueshme rreth mënyrës së riorganizimit të saj, raporton Telegrafi. Në terren janë parë makineritë e rënda dhe ekipet e punëtorëve duke shtruar shtresën e re të asfaltit, në kuadër të punimeve për finalizimin e këtij segmenti rrugor.

Rruga ishte mbyllur për qarkullim më 22 korrik, kur Komuna e Prishtinës kishte njoftuar se ndërhyrjet do të zgjasnin pesë ditë. Megjithatë, punimet u shoqëruan me kundërshtime nga banorë dhe biznese të zonës. ​Qytetarët i bllokojnë punimet e komunës te “Xhamia e Llapit” në Prishtinë Më 28 korrik, disa qytetarë dhe pronarë biznesesh kishin bllokuar punimet duke vendosur makineri në rrugë.

Ata kundërshtuan planin për ndryshimin e konfigurimit të rrugës, nga katër në tri korsi – një në drejtim të hyrjes nga Podujeva dhe dy në dalje nga Prishtina. Banorët dhe bizneset kishin pretenduar se ndryshimi do të vështirësonte furnizimin e lokaleve dhe do të ndikonte në veprimtarinë e bizneseve përgjatë kësaj rruge.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ata gjithashtu kishin dorëzuar një peticion me rreth 150 nënshkrime dhe kishin kërkuar takim me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama. Projekti kishte nxitur reagime edhe në skenën politike. Ish-kryeministri dhe ish-kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, e kishte kundërshtuar ngushtimin e rrugës, duke e cilësuar ndërhyrjen si një “eksperiment” në dëm të banorëve dhe bizneseve.

Mustafa kritikon Ramën: Po eksperimenton me qytetarët, pas tre vjetësh i mbledh plaçkat për Londër “Banorët kanë të drejtë të protestojnë dhe ta kundërshtojnë, sepse besoj që është një vendim arbitrar, i cili nuk respekton interesat e banorëve, të bizneseve të vogla dhe të qytetarëve të Kosovës.

Udhëheqja e Prishtinës nuk ka të drejtë që në këto forma të eksperimentojë me qytetarët”, kishte deklaruar Mustafa. Pavarësisht kundërshtimeve, punimet tashmë kanë kaluar në fazën e shtrimit të asfaltit. Përfundimi i tyre pritet t’i hapë rrugë rikthimit të qarkullimit në këtë segment, i cili është një nga rrugët e frekuentuara të kryeqytetit.

Mbyllja e saj gjatë këtyre dy javëve ka ndikuar edhe në qarkullimin në pjesë të tjera të Prishtinës, ndërsa mbetet për t’u parë nëse konfigurimi i ri i rrugës do të sjellë ndryshimet e planifikuara në qarkullimin e automjeteve. / Telegrafi

Burimi: Telegrafi