Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka mirëpritur 15 inspektorë komunalë, të cilët janë transferuar në Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në kuadër të zbatimit të Ligjit për këtë institucion.
Shefja e këtij dikasteri qeveritar, Mimoza Kusari-Lila, tha se me këtë transferim po forcohen kapacitetet e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut dhe po avancohet zbatimi i reformës së mbikëqyrjes së tregut.
Sipas një njoftimi të MINTI, bëhet e ditur se me transferimin e 15 inspektorëve nga niveli lokal, numri i përgjithshëm i inspektorëve të IQMT-së arrin në 39, nga 24 sa ishin deri më tani.
Kusari-Lila bëri të ditur se faza e dytë e zbatimit të ligjit synon që deri në fund të vitit 2026 numri i inspektorëve të arrijë në 100, duke zgjeruar kapacitetet mbikëqyrëse në të gjithë territorin e Kosovës.
Ajo theksoi se rritja e numrit të inspektorëve do të ndikojë në mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve, garantimin e sigurisë së produkteve, respektimin e legjislacionit në fuqi dhe ndërtimin e një tregu më të drejtë, më të sigurt dhe më të besueshëm.
