SHBA/New York: Protesta e 10-të javore e shqiptarëve në mbështetje të

0%

Ndërsa protestat në Tiranë arritën ditën e 65-të, shqiptarët e New York-ut dhe shteteve përreth shënuan të dielën e 2 gushtit protestën e tyre të 10-të javore.

Çdo të dielë, para Konsullatës Shqiptare dhe Misionit të Përhershëm pranë OKB-së, herë më shumë në numër dhe herë më pak, ata dalin përsëri me të njëjtën vendosmëri, me të njëjtat slogane dhe pankarta si prej 65 ditësh në Tiranë, para Kryeministrisë.

Shqiptarët e diasporës në New York thonë se në të gjitha protestat e tyre e mbështesin fuqishëm kërkesën për largimin e regjimit të Edi Ramës, të cilin e quajnë diktatorial dhe antishqiptar.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Aktivisti Mark Qehaja, një nga ata pjesëmarrës që nga java e parë në këto protesta, tha se: “Jemi çdo javë këtu në New York, qendrën e botës, përballë ambasadës së Shqipërisë, në protestë kundër regjimit antikombëtar të Edi Ramës.” “Protesta jonë, tha ai, është në mbështetje të atyre që për 65 ditë vazhdojnë protestën në zemër të Shqipërisë, në Tiranë.” Më pas Qehaja dha lajme të mira dhe shumë të këqija, siç i quajti ai, për t’i prezantuar përpara protestuesve.

Veprimtari nga New Yorku tha se lajmi i mirë është se protestat po vazhdojnë pa ndalim dhe me një fuqi të jashtëzakonshme në këto ditë të nxehta gushti në Tiranë, prej më shumë se dy muajsh pa u ndalur.

Ndërsa, potencoi ai, se regjimi i Edi Ramës tashmë ka marrë fund: “I është çjerrë maska në sytë e gjithë shqiptarëve dhe botës mbarë!” Zoti Qehaja dha edhe një lajm që ai e quajti të keq, duke ironizuar se presidenti Bajram Begaj, sipas tij, ka humbur në drejtim të paditur, pra nuk “ekziston” personi i tij për ne. “Shqipëria dhe shqiptarët janë pa president!” u shpreh Qehaja.

Me këtë rast, nëpërmjet megafonit, ai “qortoi” presidentin Begaj, duke thënë se: “Në qoftë se ka sado pak respekt për uniformën që ka pasur veshur, të dalë si komandant i përgjithshëm dhe të kërkojë në mënyrë urgjente shpërndarjen e Parlamentit dhe formimin e një qeverie të re!” Duke folur për protestën, ai tha se është në dinjitetin e Edi Ramës, si shqiptar, që menjëherë të japë dorëheqjen si diktatori i fundit komunist i Shqipërisë dhe të hapë rrugën e demokracisë së vërtetë.

Gjatë fjalës së tij, aktivisti Qehaja nuk la pa përmendur edhe shqetësimin e shqiptarëve të Amerikës lidhur me hapjen e konsullatës serbe në Shkodër.

Duke thënë se: “Lajm shumë i keq është se takimi i ministrit tonë Ferit Hoxha me ministrin Marko Gjuriç, duke kërkuar hapjen e një konsullate serbe në Shkodër dhe duke shkelur e dëmtuar dinjitetin e Kosovës dhe martirëve të saj, është i pafalshëm dhe antikombëtar.” Me këtë veprim, tha ai, vazhdon hapur tradhtia e qeverisë antishqiptare të Edi Ramës.

“Kurse sot, pas shumë vitesh, në Mitrovicë zbulohet një varr masiv me shqiptarë të masakruar nga forcat serbe,” theksoi Qehaja. “Si për çudi, atdhetari dardan Isuf Hoxha, i cili mban të njëjtin mbiemër me ministrin e Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha, është i varrosur i vrarë atje. Atje, pikërisht në atë varr ku janë edhe eshtrat e shumë shqiptarëve të cilët u masakruan nga forcat serbe.

Që janë të gjithë shqiptarë të një gjuhe, të një gjaku dhe të një flamuri.” Qehaja shprehu çudinë e tij se ku e merr guximin ky diplomat pro-serb të takohet me serbët pa njoftuar Kosovën dhe pa kërkuar që Serbia të paguajë dëmshpërblimet e luftës. “Kjo, për mendimin tim, është tradhti e hapur!” theksoi Qehaja.

Burimi: Bota Sot