Përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e konfliktit mes SHBA-së dhe Iranit kanë hyrë në një fazë të avancuar, ndërsa palët po shkëmbejnë draftet e një marrëveshjeje të mundshme, ka bërë të ditur zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari.
Katari dhe Omani po ndërmjetësojnë mes Uashingtonit dhe Teheranit, edhe pse deri tani nuk ka pasur bisedime të drejtpërdrejta mes dy vendeve. Doha thotë se po punohet për një zgjidhje diplomatike dhe uljen e tensioneve në rajon. Al-Ansari deklaroi se tashmë është hartuar një tekst paraprak i një marrëveshjeje dhe se ai po u dërgohet palëve për shqyrtim.
Sipas tij, objektivi i menjëhershëm është arritja e një marrëveshjeje afatshkurtër që do t’i kthente SHBA-në dhe Iranin në tryezën e negociatave. Pavarësisht përpjekjeve diplomatike, tensionet në Gjirin Persik dhe veçanërisht në ngushticën strategjike të Hormuzit mbeten të larta.
Mohsen Rezay, këshilltar ushtarak i liderit suprem iranian, paralajmëroi se Teherani nuk do të lejojë kufizime ndaj eksporteve dhe anijeve iraniane, raportojnë mediat . Trump: Po i japim Iranit çdo shans para se “t’i presim kokën”
Ai tha se Irani nuk do të lejojë kalimin e anijeve jashtë rrugëve të përcaktuara prej tij dhe paralajmëroi se anijet luftarake amerikane që përdorin rrugë të tjera mund të përballen me sulme.
Ministri amerikan i Financave, Scott Bessent, deklaroi se një marrëveshje për rikthimin e trafikut normal në ngushticën e Hormuzit mund të arrihet së shpejti, duke pretenduar se lëvizja e anijeve tashmë ka filluar të rritet.
Megjithatë, të dhënat e kompanisë analitike Kpler tregojnë se trafiku në këtë rrugë detare mbetet shumë i kufizuar, me vetëm disa anije që kalojnë çdo ditë, zakonisht më pak se dhjetë.
Sulmet ndaj anijeve tregtare dhe mosmarrëveshjet mes SHBA-së dhe Iranit për lirinë e lundrimit, tarifat dhe kontrollin e ngushticës së Hormuzit vazhdojnë të pengojnë arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.
