Një anije tregtare është goditur nga një predhë e paidentifikuar në Ngushticën e Hormuzit, sipas njoftimit të Agjencisë Britanike për Operacionet Tregtare Detare. Sipas autoriteteve britanike, incidenti ndodhi rreth 37 kilometra në verilindje të qytetit Al Khasab në Oman.
Deri më tani nuk janë raportuar të lënduar apo dëme të konsiderueshme në anije, ndërsa rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta. Ngjarja vjen në një moment kur tensionet në Gjirin Persik vijojnë të jenë të larta.
Edhe pse presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se “janë duke u zhvilluar negociata të reja me Iranin”, autoritetet në Teheran kanë mohuar se kanë nisur bisedime me Shtetet e Bashkuara.
Sipas zyrtarëve iranianë, kontaktet diplomatike po zhvillohen vetëm me Omanin, me qëllim garantimin e një kalimi të sigurt për anijet që lundrojnë në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët detare më të rëndësishme për transportin global të naftës. Ndërkohë, incidenti i fundit ka shtuar shqetësimet për sigurinë e lundrimit në zonë.
Burime ndërkombëtare bëjnë të ditur se disa vende të Gjirit po shqyrtojnë ndërtimin e një tubacioni të ri energjetik, i cili do të mundësonte eksportin e naftës duke anashkaluar Ngushticën e Hormuzit në rast të një mbylljeje ose përshkallëzimi të konfliktit.
