Prokuroria e Shtetit nënshkruan marrëveshje me Institutin e Bazelit

0%

Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Institutin e Bazelit për Qeverisje në Zvicër, me qëllim forcimin e bashkëpunimit për gjurmimin, identifikimin dhe rikthimin e pasurive të fituara në mënyrë të paligjshme që i përkasin Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit të Prokurorisë së Shtetit, marrëveshja është nënshkruar në formë elektronike edhe nga Drejtoresha Ekzekutive e Institutit të Bazelit për Qeverisje, Elizabeth Andersen, si dhe Drejtori i Qendrës Ndërkombëtare për Rikthimin e Pasurive (ICAR), Iker Lekuona.

Prokuroria ka bërë të ditur se marrëveshja synon të avancojë përpjekjet për rikthimin dhe riatdhesimin e pasurive të fituara në mënyrë të paligjshme përmes korrupsionit ose formave të tjera të abuzimit me pushtetin, të cilat ndodhen jashtë vendit dhe i përkasin ligjërisht Republikës së Kosovës.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas njoftimit, përmes këtij bashkëpunimi synohet edhe lehtësimi i bashkëpunimit me autoritetet e shteteve të tjera në gjurmimin, identifikimin dhe ndjekjen penale të pasurive të fituara në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim rritjen e efikasitetit në luftimin e korrupsionit, pastrimit të parave dhe krimit të organizuar.

Prokuroria ka njoftuar se Instituti i Bazelit për Qeverisje, përmes këshillave strategjike, udhëzimeve praktike dhe mbështetjes profesionale, do ta ndihmojë Prokurorin e Shtetit në çështjet që lidhen me sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të fituara në mënyrë të paligjshme, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira të bashkëpunimit ndërkombëtar.

Burimi: Kallxo