Prizren, arrest shtëpiak për dy infermierët e dyshuar për përvetësim

0%

Në Gjykatën e Prizrenit më është mbajtur seanca dëgjimore lidhur me kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të pandehurve Xhemajli Bislimaj dhe Besnik Ramadani, të dyshuar për veprën penale – përvetësimi në detyrë.

Pas dëgjimit të palëve, gjyqtarja e procedurës paraprake, Shpresa Emra, e aprovoi kërkesën e Prokurorisë dhe ndaj të pandehurve caktoi masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji.

Sipas Prokurorisë, të pandehurit, në cilësinë e kryeinfermierit dhe infermierit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prizren, dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – përvetësimi në detyrë, duke përvetësuar para të arkëtuara gjatë ndërrimit të natës dhe duke mos i regjistruar e deklaruar në regjistrat përkatës të pagesave.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Prokurori tha se sipas hetimeve të deritanishme Xhemajli Bislimaj dyshohet se ka përvetësuar rreth 1,250 euro, ndërsa Besnik Ramadani rreth 1,032 euro, duke i shkaktuar dëm financiar QKMF-së në Prizren.

Ai theksoi se kërkesa për caktimin e masës së arrestit shtëpiak mbështetet në prova të shumta të siguruara gjatë hetimeve, përfshirë deklaratat e dëshmitarëve, deklaratat e të pandehurve, vendimet e komisioneve për shqyrtimin e ankesave, raportet e komisioneve disiplinore dhe prova të tjera.

Sipas Prokurorisë, ekziston rreziku që të pandehurit të ndikojnë te dëshmitarët dhe t’i shmangen procedurës penale, andaj kërkoi caktimin e arrestit shtëpiak për një muaj.

Nga ana tjetër, mbrojtësit e të pandehurve, avokati i të akzuarit Bislimaj, dhe avokati i të akuzuarit Ramadani, Hysen Gashi dhe avokatja Leonora Bytyqi Krasniqi, e kundërshtuan kërkesën e Prokurorisë, duke argumentuar se nuk ekzistojnë kushtet ligjore për caktimin e arrestit shtëpiak.

Ata theksuan se të dyshuarit kanë bashkëpunuar me organet e drejtësisë, të gjitha provat tashmë janë siguruar dhe ndaj tyre janë ndërmarrë edhe masa disiplinore, përfshirë transferimin nga vendi i punës, ndalimin e 50% të pagës bazë për gjashtë muaj dhe kthimin e mjeteve të dyshuara se ishin përvetësuar. Edhe të akuzuarit Bislimaj e Ramadani kanë mbështetur fjalët e avokatëve të tyre.

Pavarësisht kundërshtimeve të mbrojtjes, Gjykata e aprovoi kërkesën e Prokurorisë dhe ndaj Xhemajli Bislimajt dhe Besnik Ramadanit caktoi masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji.

Burimi: Kallxo