Nga: Arianita Hoti Shpërndaje në: Mbledhjet e Bordit të SHSKUK-së do të vazhdojnë të mbahen me dyer të mbyllura. Nga ky institucion thonë se tash vendimi mbështetet edhe në një opinion ligjor të Ministrisë së Shëndetësisë, por i cili nuk është publikuar nga SHSKUK-ja e as nuk është konfirmuar nga Ministria.
Njohësja e politikave shëndetësore, Saranda Ramaj, vlerëson se vendimi nuk lidhet me aspektin ligjor, por me shmangien e kritikave publike Një muaj pasi ka mbyllur mbledhjet e Bordit për opinionin publik, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës ka njoftuar të hënën se për këtë veprim ka marrë edhe përkrahje.
Sipas SHSKUK-së, Departamenti Ligjor i Ministrisë së Shëndetësisë përmes një opinioni e ka mbështetur vendimin që diskutimet në Bordin e këtij institucioni publik të mbahen larg syve të opinionit. Në njoftim nuk është cituar asnjë ligj apo rregullore, se ku është bazuar opinioni, e as nuk është bashkëngjitur opinioni i Ministrisë, në të cilin është thirrur SHSKUK-ja.
“Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), duke vepruar në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe në funksion të transparencës institucionale, njofton opinionin publik se, lidhur me kërkesat për pjesëmarrjen e mediave dhe publikut në mbledhjet e Bordit, është pranuar opinioni ligjor i Departamentit Ligjor të Ministrisë përgjegjëse.
Sipas këtij opinioni, mbledhjet e Bordit Drejtues të SHSKUK-së zhvillohen me dyer të mbyllura”, thuhet në komunikatën e SHSKUK-së Për çështjet që trajtohen në mbledhjet e Bordit, sipas SHSKUK-së, opinioni publik do të informohet përmes kanaleve zyrtare, siç thuhet, në përputhje me dispozitat ligjore.
E njohësja e politikave shëndetësore, Saranda Ramaj, kujton se në vitin 2023, kur Ministria e Shëndetësisë dhe Bordi i SHSKUK-së vendosën që mbledhjet të ishin të hapura, kjo ishte arsyetuar me nevojën për rritjen e transparencës institucionale. Sipas saj, vendimi për rikthimin e mbledhjeve të mbyllura lidhet me kritikat që janë bërë ndaj mënyrës së funksionimit të Bordit.
“Çfarë ka ndryshuar në këto tri vjet? Nuk besoj se gazetarët atëherë kanë qenë më pak kritikë se sot. Pasi janë përballur me kritika për mënyrën se si menaxhohen mbledhjet e Bordit, ku shpesh nuk dallohet qartë roli i atij që duhet të japë llogari dhe i atij që duhet të kërkojë llogari, besoj se kjo është arsyeja e vërtetë.
Nga ana tjetër, Ligji për Procedurën e Përgjithshme Administrative e parasheh që mbledhjet e organeve kolegjiale janë të mbyllura, por gjithashtu thotë se, nëse me legjislacion tjetër përcaktohet që ato të jenë të hapura, atëherë ato mund të zhvillohen edhe publikisht”, ka thënë Ramaj.
Gjatë diskutimeve në mbledhjet e Bordit sa ato kanë qenë të hapura kanë dalë në pah parregullsi e probleme të këtij shërbimi, që menaxhon me QKUK-në dhe spitalet rajonale.
Edhe Arbëri 8 o. më parë SHSKUK-ja: Ministria e Shëndetësisë thotë që mbledhjet e Bordit të jenë të mbyllura KOHA pati raportuar se drejtorë të klinikave kanë ngritur shqetësime për gjendjen e rënduar infrastrukturore, mungesën e investimeve, problemet me furnizim dhe sfida të tjera që po ndikojnë në funksionimin e institucioneve publike shëndetësore.
KOHA ka dërguar pyetje në Ministrinë e Shëndetësisë nëse e kanë dërguar këtë opinion te SHSKUK-ja dhe nëse po, për arsyet që i kanë shtyrë ta bëjnë, por nuk kanë kthyer përgjigje. Po ashtu, ia ka kërkuar SHSKUK-së opinionin ligjor, mbi të cilin është mbështetur vendimi për jotransparencë, por as nga ky institucion nuk kanë kthyer përgjigje.
