Nga: Elda Islami Shpërndaje në: Mosraportimi i dhunës ndaj fëmijëve, paraqitja në punë nën ndikimin e alkoolit apo substancave psikoaktive dhe publikimi i përmbajtjeve që cenojnë dinjitetin e nxënësve janë disa nga rastet që në të ardhmen do të llogariten si shkelje nga mësimdhënësit dhe personeli arsimor.
Të gjithë këto parashihen në Draft-Udhëzimin Administrativ për procedurat disiplinore, që është në diskutim publik Edhe një ditë ka mbetur për konsultimet publike për Draft-Udhëzimin Administrativ për procedurat disiplinore ndaj personelit në institucionet edukativo-arsimore.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës synon ta shfuqizojë Udhëzimin Administrativ nr. 04/2019, i cili nuk figuron askund në faqen zyrtare publike, por KOHA ka arritur ta sigurojë atë.
Në draftin e ri janë thuajse të gjitha dispozitat ekzistuese, tek janë shtuar masa për disa shkelje që deri tash nuk ishin të dënueshme, si, mosraportimi i rasteve të dhunës dhe abuzimit ndaj fëmijëve, publikimi i përmbajtjeve që cenojnë privatësinë ose dinjitetin e nxënësve, refuzimi për të marrë pjesë në trajnimet për zhvillim profesional, pengimi i procesit të inspektimit, paraqitja në vendin e punës nën ndikimin e alkoolit ose substancave psikoaktive, si dhe mosrespektimi i masave të sigurisë dhe shëndetit në institucion.
Nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit kanë dhënë mbështetjen e tyre për këtë nismë. “Faktikisht ky udhëzim administrativ nuk ka shumë ndryshime nga udhëzimi administrativ i kaluar, mirëpo janë kërkuar më shumë përgjegjësi për të punësuarit në sektorin e arsimit. Gjë të cilën ne si SBASHK e mbështesim, për shkak se ne asnjëherë nuk kemi qenë kundër mospunës.
Ne e kërkojmë punën dhe përgjegjësinë edhe nga anëtarët tanë”, ka thënë Blendor Shatri, zyrtar ligjor në SBASHK. Edhe Arbëri 20 shk 2026 Senati i UP-së i shqipton masa disiplinore Hasanit, ai ankohet për shkelje Në SBASHK kanë theksuar se draftin e kanë shpërndarë te të gjitha shoqatat sindikale, por deri tash nuk kanë pranuar ndonjë koment për adresim.
E eksperti i arsimit, Dukagjin Pupovci, u shpreh se drafti nuk sjell ndonjë risi në krahasim me udhëzimin në fuqi. “Po, ky udhëzim nuk është asgjë e re. Këto gjëra të gjitha parashihen me ligj. Udhëzimi vetëm e saktëson procedurën në këtë rast.
Pra, është një ndarje e kompetencave mes Inspektoratit dhe punëdhënësit, ku Inspektorati mund të iniciojë procedurë disiplinore, por nuk mund ta zhvillojë atë procedurë; atë e zhvillon gjithnjë punëdhënësi.
Kështu është edhe në legjislacion, kështu ka qenë edhe në udhëzimin administrativ të mëparshëm, vetëm që tani janë shtuar edhe disa situata kur Inspektorati mund të iniciojë procedura të tilla”, ka theksuar Pupovci. Sipas tij, në lidhje me këtë mungon një mekanizëm i përcjelljes se si vepron punëdhënësi pas rekomandimit të inspektorit, pasi, siç tha ai, Inspektorati nuk ka fuqi të ndikojë.
Ai theksoi se Inspektorati duhet të ketë qasje në informacion për shkeljet ligjore dhe nuk duhet të hezitojë të bëjë rekomandime për inicimin e procedurave në kuadër të kompetencave që ka. Edhe Arbëri 8 shk 2026 OSHP-ja “legjitimon” moszbatimin e vendimeve të saj Konsultimi publik për draftin nisi më 15 korrik dhe përfundon më 4 gusht.
KOHA ka dërguar pyetje në Ministrinë e Arsimit lidhur me këtë temë, por deri në publikimin e stories nuk ka marrë përgjigje.
