Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka përgëzuar institucionet ligjzbatuese të Kosovës për punën dhe përkushtimin e treguar në zbulimin e varrezës masive në Zubin Potok, ku janë gjetur mbetje mortore dhe dyshohet se mund të ketë edhe trupa të tjerë të viktimave të luftës së fundit në Kosovë.
Përmes një deklarate publike, Gashi e cilësoi këtë zhvillim si pjesë të angazhimit të vazhdueshëm të institucioneve për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe vendosjen e drejtësisë.
“Zbulimi i kësaj varreze masive përbën një hap të rëndësishëm në angazhimin shtetëror për të nxjerrë në dritë të vërtetën dhe për të mundësuar vendosjen e drejtësisë”, thuhet në deklaratën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Ai theksoi se zbardhja e rasteve të tilla nuk është vetëm një obligim ligjor, por edhe një përgjegjësi institucionale dhe morale ndaj viktimave të luftës dhe familjeve të tyre. “Zbardhja e këtyre rasteve përbën një përgjegjësi ligjore dhe institucionale ndaj viktimave, si dhe ndaj familjarëve të tyre”, theksoi Gashi.
Kryeprokurori vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin dhe koordinimin ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve në vendin ku po zhvillohen gërmimet, duke nënvizuar se ky bashkërendim është i domosdoshëm për avancimin e hetimeve.
“Ndihma dhe bashkëpunimi i institucioneve dhe qytetarëve kanë rëndësi thelbësore si për identifikimin e viktimave, ashtu edhe për gjetjen e personave përgjegjës për këto krime dhe nxjerrjen e tyre para drejtësisë”, thuhet në deklaratën e tij.
Autoritetet pritet të vazhdojnë gërmimet dhe ekzaminimet në lokacionin e Zubin Potokut për të përcaktuar nëse në këtë zonë ndodhen edhe mbetje të tjera mortore të viktimave të luftës. Deri më tani lidhur me këtë zhvillim janë arrestuar tre persona.
