Shqipëria dhe Gjermania kanë nënshkruar tre marrëveshje të rëndësishme financimi, që parashikojnë një mbështetje prej 114 milionë eurosh për projekte në sektorin e energjisë dhe infrastrukturës. Marrëveshjet u firmosën nga ministri për Infrastrukturën dhe Energjinë, Enea Karakaçi, dhe ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, ministri Karakaçi bëri të ditur se paketa përfshin 90 milionë euro hua dhe 24 milionë euro grante, të cilat do të përdoren për modernizimin e sistemit energjetik dhe përmirësimin e infrastrukturës publike, shkruan KP.
“Ditën e sotme kemi nënshkruar tre marrëveshje të rëndësishme me qeverinë gjermane, të cilat përfshijnë një financim prej 90 milionë eurosh hua dhe 24 milionë euro grante. Këto investime do të mbështesin projekte strategjike në sektorin e energjisë dhe të infrastrukturës, me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e vendit”, deklaroi Karakaçi.
Sipas ministrit, marrëveshja e parë synon rritjen e eficiencës së sistemit të transmetimit të energjisë elektrike përmes dixhitalizimit të plotë të tij, duke krijuar mundësi për automatizimin e proceseve të operimit dhe të ndërlidhjes së nënstacioneve. “Marrëveshja e parë lidhet me rritjen e eficiencës së sistemit të transmetimit dhe me dixhitalizimin e të gjithë sistemit.
Ajo do të na japë mundësinë të automatizojmë proceset që lidhen me ndërlidhjen e nënstacioneve dhe operimin energjetik, duke rritur sigurinë dhe performancën e rrjetit”, u shpreh ai. Një tjetër marrëveshje ka në fokus rehabilitimin e Hidrocentralit të Vaut të Dejës, një nga asetet më të rëndësishme të prodhimit të energjisë elektrike në vend.
“Marrëveshja e dytë lidhet me vijimin e rehabilitimit të Hidrocentralit të Vaut të Dejës, një nga veprat tona energjetike më të rëndësishme. Ky investim do të kontribuojë në rritjen e jetëgjatësisë dhe eficiencës së këtij objekti strategjik”, tha ministri.
Ndërsa marrëveshja e tretë parashikon investime në godinat e Qytetit Studenti, me synim përmirësimin e eficiencës energjetike të konvikteve, falë një granti prej 24 milionë eurosh të financuar nga qeveria gjermane përmes bankës zhvillimore KfW, raporton RTSH. “Marrëveshja e fundit lidhet me Qytetin Studenti dhe rehabilitimin e konvikteve në kuadër të rritjes së eficiencës së energjisë.
Bëhet fjalë për një grant prej 24 milionë eurosh nga qeveria gjermane, përmes KfW-së. Këto investime janë në të mirë të studentëve dhe të interesit publik, pasi do të ofrojnë kushte më të mira jetese, një proces më cilësor mësimor dhe një kursim të konsiderueshëm të energjisë falë standardeve të reja të eficiencës energjetike”, deklaroi Karakaçi.
