Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka vlerësuar lart punën dhe angazhimin e institucioneve ligjzbatuese të Kosovës në rastin e zbulimit të varrezave masive në Zubin Potok, ku janë gjetur mbetje mortore dhe dyshohet se ndodhen edhe trupa të tjerë të viktimave të luftës së fundit në Kosovë.
Në një deklaratë publike, Gashi theksoi se zbulimi i këtyre varrezave përfaqëson një përpjekje të rëndësishme shtetërore për zbardhjen e së vërtetës dhe vendosjen e drejtësisë. Kjo, duke e cilësuar ndriçimin e këtyre rasteve si detyrim institucional dhe ligjor ndaj viktimave dhe familjeve të tyre.
Ai gjithashtu vlerësoi praninë dhe bashkëpunimin e institucioneve dhe qytetarëve në vendin e ngjarjes, duke theksuar se kontributi i tyre është thelbësor për identifikimin e viktimave dhe të personave përgjegjës për këto krime, në mënyrë që ata të përballen me drejtësinë.
