Shpërndaje në: Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHP) ka bërë të ditur se nga 16 prilli deri më 3 gusht në Kosovë janë raportuar gjithsej 99 raste të konfirmuara me fruth. Vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar 21 raste të reja. Numri më i madh i rasteve është regjistruar në Prishtinë 33 sosh, pasuar nga Fushë-Kosova me 25, Ferizaj me 12 dhe Kaçaniku me 7 raste.
Nga tri raste janë në Drenas, Lipjan e Obiliq, nga dy në Gjilan, Skenderaj, Shtime dhe Vushtrri. E nga një rast në Deçan, Graçanicë, Podujevë, Shtërpcë dhe Viti, Krahasuar me vitin e kaluar ka rritje të numrit të rasteve të konfirmuara. Në gusht 2025 ishin 65 raste.
“IKShPK rekomandon që çdo person me simptoma të dyshimta të fruthit, si temperaturë e lartë, skuqje apo ndryshime në lëkurë, kollë, rrufë ose konjuktivit, të paraqitet menjëherë në institucionet më të afërta shëndetësore.
Duke pasur parasysh infektueshmërinë e lartë të fruthit, rrezikun e përhapjes së tij në komunitet dhe komplikimet që shkakton fruthi, IKShPK u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe të sigurojnë vaksinimin sipas Kalendarit të rregullt të imunizimit në qendrat e mjekësisë familjare.
Vaksinimi mbetet masa më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit, mbrojtjen e individëve të pa vaksinuar dhe ruajtjen e shëndetit publik”, ka njoftuar IKSHPK.
