Një ndërhyrje e Policisë pas një raportimi për dhunë në familje në Prizren ka përfunduar me sulmin ndaj dy zyrtarëve policorë dhe arrestimin e një 25-vjeçari. Sinjali mëson se i dyshuari është Kenan Konstantini .
Sipas burimeve, ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 3 gushtit, rreth orës , në rrugën “Jul Variboba” në Prizren, pasi Policia kishte pranuar një raportim për një rast të dyshuar të dhunës në familje. Menjëherë pas mbërritjes në vendngjarje, zyrtarët policorë kanë dëgjuar zhurmë nga brenda banesës dhe kanë hyrë për të verifikuar situatën.
Pas bisedës me familjarët, është konstatuar se nuk kishte elemente të dhunës në familje. Megjithatë, gjatë ndërhyrjes policore, Kenan Konstantini dyshohet se ka sulmuar një zyrtar policor, duke e goditur me grusht në hundë. Sipas burimeve, gjatë arrestimit ai ka lënduar edhe një zyrtar tjetër policor.
I dyshuari është vënë nën kontroll dhe është shoqëruar në Stacionin Policor në Prizren, ndërsa dy policët e lënduar kanë marrë trajtim mjekësor. Raportet mjekësore konfirmojnë se ata kanë pësuar lëndime të lehta trupore.
Pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, me vendim të Prokurorisë Themelore në Prizren, ndaj Kenan Konstantinit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, nën dyshimin për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”. Rasti është duke u trajtuar nga hetuesit rajonalë, të cilët po vazhdojnë veprimet hetimore.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
