Drejtoresha e DKRS-së në Prizren i përgjigjet akuzave për

0%

Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Prizrenit, Ajlin Shishko-Hajdari, ka reaguar lidhur me akuzat dhe pakënaqësitë e ngritura për procesin e ndarjes së subvencioneve në këtë drejtori.

Përmes një reagimi të publikuar në Facebook, Shishko-Hajdari ka thënë se procesi është zhvilluar në përputhje me procedurat dhe legjislacionin në fuqi, ndërsa ka mohuar se vendimmarrja për përfituesit është bërë nga drejtoria.

Ajo ka sqaruar se përgjegjësia e saj ka qenë propozimi i Komisionit për Vlerësimin e Projekteve, ndërsa vlerësimi dhe pikëzimi i aplikacioneve është bërë nga ky komision. “Si Drejtoreshë e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, përgjegjësia ime ka qenë propozimi i Komisionit për Vlerësimin e Projekteve, në përputhje me procedurat dhe legjislacionin në fuqi.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Vlerësimi i aplikacioneve, pikëzimi dhe rekomandimet për përfituesit janë kryer nga ky komision, në mënyrë të pavarur dhe sipas kritereve të përcaktuara në thirrjen publike”, ka shkruar ajo. Shishko-Hajdari ka thënë se drejtoria është përballur me akuza dhe pakënaqësi nga disa anëtarë të Kuvendit Komunal të Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas saj, në seancën e fundit ishte kërkuar që Komisioni për Vlerësimin e Projekteve të paraqitej në Kuvend për të dhënë sqarime, por kjo kërkesë nuk ishte miratuar. “Një kërkesë e tillë nuk gjen mbështetje në kompetencat ligjore që rregullojnë raportimin e shërbyesve civilë, prandaj edhe nuk u miratua nga Kuvendi”, ka deklaruar drejtoresha.

LVV dorëzon kallëzim penal për subvencionet në Prizren Ajo ka thënë se, pavarësisht kësaj, drejtoria kishte organizuar një takim për t’u mundësuar përfaqësuesve të interesuar qasje fizike në dokumentacionin e kërkuar, me qëllim të rritjes së transparencës. Megjithatë, sipas saj, takimi nuk është zhvilluar për shkak të një qasjeje që ajo e ka cilësuar si konfrontuese.

“Fatkeqësisht, takimi nuk u shfrytëzua për dialog institucional dhe është anuluar nga ana jonë. Në vend të një diskutimi të rregullt dhe profesional, u zgjodh një qasje konfrontuese, me praninë e mediave dhe me akuza të parapërgatitura, duke e zhvendosur fokusin nga faktet te spektakli politik”, ka shkruar Shishko-Hajdari.

Ajo ka theksuar se, sipas saj, çdo kërkesë për qasje në dokumente e paraqitur deri tani është trajtuar dhe përmbushur brenda afateve ligjore. “Edhe në të ardhmen, çdo kërkesë për informata apo dokumentacion do të trajtohet me të njëjtën përgjegjësi, profesionalizëm dhe transparencë”, ka thënë ajo.

Shishko-Hajdari u ka bërë thirrje personave që pretendojnë se gjatë procesit është shkelur ligji që t’u drejtohen institucioneve të drejtësisë dhe organeve mbikëqyrëse. “Nëse dikush konsideron se gjatë këtij procesi është shkelur ligji apo janë tejkaluar kompetencat, institucionet e drejtësisë dhe organet mbikëqyrëse janë adresa e duhur për trajtimin e këtyre pretendimeve.

Ne nuk do t’i zëvendësojmë institucionet me debate politike apo gjykime mediatike”, ka deklaruar ajo. Në fund, drejtoresha e DKRS-së në Prizren ka thënë se mbetet e hapur për bashkëpunim dhe dialog institucional, por ka kundërshtuar politizimin e proceseve profesionale. “Transparenca nuk është vetëm fjalë, por praktikë që e kemi dëshmuar.

Bashkëpunimi është gjithmonë i mirëseardhur; politizimi i proceseve profesionale nuk i shërben askujt”, ka përfunduar Shishko-Hajdari. / Telegrafi

Burimi: Telegrafi