Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka reaguar ndaj raportimeve të publikuara në media, duke sqaruar se aktualisht po operon plotësisht në përputhje me Bilancin Vjetor të Energjisë Elektrike (BVEE) 2026. Sipas KEK-ut, në operim janë njësitë A3 dhe A4 të Termocentralit Kosova A, si dhe njësia B2 e Termocentralit Kosova B.
Sa i përket njësisë A3, korporata bën të ditur se ajo ishte ndalur përkohësisht për shkak të rrjedhjeve të identifikuara në kaldajë, me qëllim të realizimit të sanimeve teknike. Pas përfundimit të punimeve, njësia është rikthyer sot në operim dhe, sipas KEK-ut, po funksionon në gjendje stabile.
Ndërkohë, njësia A5 ndodhet në revizion të planifikuar, në përputhje me BVEE 2026, për periudhën nga 1 deri më . Lidhur me njësinë B1, KEK vlerëson se është e pasaktë të paraqitet vetëm si “jashtë prodhimit”, duke theksuar se ajo, që nga muaji prill, i është nënshtruar projektit më të madh të modernizimit në historinë e saj.
Projekti përfshin rehabilitimin e njësisë, ndërtimin e elektrofiltrave të rinj dhe instalimin e sistemit DeNOx, ndërsa përfundimi i tij është planifikuar për gjysmën e parë të muajit dhjetor 2026. Sipas KEK-ut, mosparaqitja e këtij konteksti krijon një perceptim të gabuar te opinioni publik dhe nuk pasqyron gjendjen reale të kapaciteteve prodhuese.
Korporata thekson se investimet strategjike për modernizimin e njësive prodhuese nuk duhet të interpretohen si mungesë e papritur e prodhimit.
Në fund, KEK u ka bërë thirrje mediave që, para publikimit të informacioneve për sektorin energjetik, t’u referohen njoftimeve zyrtare dhe dokumenteve publike, duke vlerësuar se raportimi i aktiviteteve të planifikuara të modernizimit dhe mirëmbajtjes si “blloqe jashtë prodhimit” krijon konfuzion dhe dezinformon qytetarët për gjendjen reale të sistemit elektroenergjetik.