Një vjedhje e rëndë e raportuar para dy javësh në Prishtinë është zbardhur nga Policia, e cila ka arrestuar personin që dyshohet se kishte thyer xhamin e një veture dhe kishte vjedhur një telefon me vlerë qindra euro. Sinjali mëson se i dyshuari është Adhurim Shillaku rreth 40-vjeçar. Sipas burimeve, rasti kishte ndodhur më 18 korrik, në rrugën “Fehmi Lladrovci” në Prishtinë.
Pronari i veturës, M. Krasniqi rrreth 69-vjeçar , kishte raportuar se persona të panjohur i kishin thyer xhamin e derës së përparme të pasagjerit dhe nga brenda i kishin marrë një iPhone 13 Pro Max, me vlerë rreth 400 euro.
Viktima kishte arritur të siguronte edhe një fotografi, në të cilën, sipas tij, shihej personi i dyshuar i veshur me bluzë të kuqe dhe trenerka të gjelbra, duke kryer vjedhjen. Pas veprimeve intensive hetimore, mbrëmjen e 1 gushtit, rreth orës , njësitë relevante të Stacionit Policor Jugu kanë hasur në rrugën “Fehmi Lladrovci” personin që dyshohej për kryerjen e kësaj vjedhjeje.
I dyshuari Adhurim Shillaku është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ai është dërguar në Qendrën e Mbajtjes, ndërsa hetimet për rastin e “Vjedhjes së rëndë” janë në vazhdim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
