U tha se s’kishte mall për të deklaruar, Dogana gjen 157 palë atlete

0%

Dogana e Kosovës ka parandaluar futjen e mallrave të padeklaruara në territorin e Republikës së Kosovës, gjatë një kontrolli rutinor në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë. Sipas njoftimit të Doganës, zyrtarët doganorë kanë ndaluar një automjet për kontroll, ndërsa gjatë intervistimit fillestar udhëtari ka deklaruar se nuk kishte mallra për të deklaruar.

Megjithatë, gjatë kontrollit fizik të automjetit janë zbuluar 157 palë atlete, të cilat nuk ishin deklaruar pranë autoriteteve doganore. Personi, sipas Doganës, nuk posedonte as faturë dhe as dokumentacion tjetër përcjellës që do të dëshmonte origjinën dhe vlerën e mallit.

“Çdo mall që hyn në territorin doganor të Republikës së Kosovës duhet t’i paraqitet Doganës dhe, kur kërkohet, të deklarohet dhe të shoqërohet me dokumentacionin përkatës”, thuhet në njoftim. Malli është ndaluar nga zyrtarët doganorë, ndërsa rasti është proceduar për zhvillimin e mëtejshëm të procedurave ligjore, në përputhje me Kodin Doganor dhe të Akcizave.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Dogana ka theksuar se do të vazhdojë zbatimin e legjislacionit doganor, me synim mbrojtjen e interesave fiskale të shtetit, garantimin e konkurrencës së ndershme dhe luftimin e kontrabandës.

Njëkohësisht, u është bërë thirrje udhëtarëve dhe operatorëve ekonomikë që të respektojnë detyrimet për deklarimin e mallrave dhe të sigurojnë dokumentacionin përkatës gjatë hyrjes dhe daljes nga territori doganor i Kosovës. / Telegrafi

Burimi: Telegrafi