Një muzikant 55-vjeçar, me origjinë nga Sicilia, ka humbur jetën në dhomën e një hoteli në qendër të Peruxhias, në Itali. Kolegia e tij, e cila ndodhej me të në dhomë, është shtruar në spital dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Hipoteza kryesore mbi të cilën po punojnë karabinierët italianë është ajo e një helmimi nga monoksidi i karbonit.
Sipas hetimeve paraprake, dhoma ku qëndronte çifti ndodhej pranë një ambienti teknik ku ishte instaluar një kaldajë. Hetuesit po verifikojnë nëse një rrjedhje e mundshme gazi mund të ketë ardhur pikërisht nga aty. Dy muzikantët ndodheshin në Peruxhia për të marrë pjesë në një koncert në Sallën e Notarëve, së bashku me një grup prej rreth 40 muzikantësh.
Alarmi u dha pasi pjesëtarët e tjerë të grupit vunë re se ata nuk kishin mbërritur në shfaqje dhe nuk po i përgjigjeshin thirrjeve. Pas kësaj nisën kontrollet, të cilat çuan në zbulimin e ngjarjes tragjike.
