Enzo Maresca e ka nisur me humbje aventurën në krye të Manchester Cityt, pasi skuadra angleze u mposht nga Interi pas ekzekutimit të penalltive në një ndeshje miqësore të zhvilluar në Hong Kong. Koha e rregullt u mbyll baras 1-1, ndërsa kampioni i Italisë triumfoi 3-1 në serinë e penalltive. Goditjen vendimtare e realizoi Matteo Lavelli. Manchester City kaloi në epërsi në minutën e 14-të.
Antoine Semenyo depërtoi bukur nga krahu dhe asistoi për talentin Divin Mubama, i cili shënoi nga afërsia. Semenyo ishte një nga lojtarët më të dalluar të ndeshjes dhe ishte pranë golit të dytë pas një aksioni individual, por portieri i Interit, Josep Martinez, ndali tentativën e tij.
Interi reagoi shpejt dhe barazoi rezultatin, kur Benjamin Pavard përfitoi nga një pastrim i dobët i mbrojtjes së Cityt dhe realizoi nga afërsia. Në pjesën e dytë, të dyja skuadrat krijuan raste të mira shënimi, por nuk arritën të gjenin golin e fitores. Vitor Reis goditi traversën për Manchester Cityn, ndërsa Ryan McAidoo qëlloi shtyllën në minutat e fundit.
Ndeshja shkoi në penallti, ku Interi u tregua më i saktë dhe siguroi fitoren me rezultat 3-1. Kjo ishte ndeshja e parë e Enzo Marescës në stolin e Manchester Cityt, pasi ai mori drejtimin e skuadrës në muajin qershor, duke pasuar Pep Guardiolën, i cili gjatë një dekade fitoi 20 trofe me klubin anglez.
