Trajneri i njohur Robert Garcia refuzoi të bëhej pjesë e një dokumentari të “Netflix” për Anthony Joshuan, duke deklaruar se “më mirë preferoj të hesht”. Ish-kampioni i botës dhe trajneri i boksierëve të nivelit elitar, si Jesse “Bam” Rodriguez dhe Vergil Ortiz Jr., nisi bashkëpunimin me Joshuan përpara ndeshjes së dytë ndaj Oleksandr Usyk.
Pasi u mposht nga ukrainasi në vitin 2021, Joshua vazhdoi të stërvitej me trajnerin kryesor Angel Fernandez, por njëkohësisht forcoi ekipin e tij duke afruar edhe Robert Garcian. Ky bashkëpunim ndikoi që boksieri britanik të zhvillonte një paraqitje shumë më bindëse në revanshin e vitit 2022.
Edhe pse humbi me vendim të ndarë të gjyqtarëve, britaniku tregoi një strategji më efikase dhe një performancë dukshëm të përmirësuar. Megjithatë, pavarësisht progresit të dukshëm, Joshua vendosi t’i japë fund bashkëpunimit si me Fernandez ashtu edhe me Garcian. Ky i fundit ka dhënë së fundmi mendimin e tij për përballjen e mundshme të 36- vjeçarit me Tyson Furyn.
Dy rivalët e peshës së rëndë pritet të përballen gjatë këtij viti ose në fillim të vitit 2027, pasi të dy kanë zhvilluar me sukses ndeshjet e tyre përgatitore. Sa i përket Furyt, ai regjistroi një fitore relativisht të lehtë, edhe pse jo bindëse, duke e ndalur 46-vjeçarin Mariusz Ëach në raundin e shtatë të premten e kaluar.
Joshua, nga ana tjetër, u rrëzua dy herë që në raundin e parë nga Kristian Prenga të shtunën e kaluar, por reagoi menjëherë dhe e mbylli sfidën me nokaut në raundin e dytë ndaj kundërshtarit në rivali si Prenga, të panjohur më parë për publikun e gjerë.
Në një intervistë për “ProBox TV”, Garcia pranoi se dëshiron ta shohë duelin Joshua– Fury, por njëkohësisht shprehu shqetësimin për të ardhmen e ish-boksierit të tij.
“Ndonjëherë kjo mund të mos jetë gjë e mirë për promotorët, tifozët dhe për të gjithë ne që dëshironim ta shihnim të kalonte atë moment të vështirë dhe të fiton te, sepse çdo herë që ai ngjitet sërish në ring, por situata mund të bëhet e rrezikshme. ‘Netflix’ po realizon një dokumentar për Joshuan dhe më ftuan të udhëtoja në Londër për të folur rreth muajve që kalova duke punuar me të.
E refuzova ftesën, sepse nuk dua të jem pjesë e kësaj. Nuk do t’i gënjej njerëzit. Preferoj të hesht. Sinqerisht, ne bënim tifo që ai të fitonte ndaj Prengës, sepse duam ta shohim përballë Furyt. Ende dua ta shoh atë duel, sepse është një ndeshje shumë konkurruese. Do të bëj tifo për AJ, por vazhdimi i karrierës së tij mund të jetë i rrezikshëm.
Ne brohorasim që ai të ngrihet sa herë rrëzohet, por ajo që mund të vijë më pas mund të jetë e rrezikshme. Gjithsesi, do të doja shumë ta shihja të fitonte. Ai është një njeri i mrekullueshëm”, deklaroi ish-trajneri i Joshuas. Edhe pse gjithçka tregon se Joshua dhe Fury do të përballen së shpejti, ende nuk ka një njoftim zyrtar për datën dhe vendin e sfidës së shumëpritur.
Raportimet e fundit sugjerojnë mesin e muajit nëntor, ndërsa Nju Jorku mbetet destinacioni i preferuar nga transmetuesi televiziv.
