Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar protestën e zhvilluar kundër qeverisë, duke e cilësuar atë si protestën më të madhe rinore dhe qytetare të 35 viteve të fundit. Në një bashkëbisedim me mediat, Berisha deklaroi se mijëra qytetarë nuk u zmbrapsën përballë temperaturave të larta, kërcënimeve apo asaj që ai e cilësoi si “terror policor”.
Sipas Berishës, protesta ka dëshmuar se kryeministri Edi Rama “nuk ka të ardhme”, ndërsa akuzoi kreun e qeverisë se është i fokusuar vetëm te ruajtja e pushtetit dhe kontrolli i Partisë Socialiste. Berisha e cilësoi qeverisjen e Ramës si “narko-diktaturë”, duke e akuzuar atë për korrupsion, lidhje me organizata kriminale dhe keqmenaxhim të vendit.
Ai bëri një ndarje mes drejtimit të Partisë Socialiste dhe socialistëve, duke deklaruar se nuk i konsideron këta të fundit kriminelë. Kreu i PD-së përshëndeti gjithashtu socialistët që, sipas tij, i janë bashkuar protestës kundër qeverisë. Një pjesë të deklaratës së tij Berisha ia kushtoi edhe çmimit të naftës në Shqipëri.
Ai pretendoi se nafta ka arritur në rreth 2300 lekë për litër, ndërsa çmimi i naftës bruto në bursat ndërkombëtare është rreth 85-90 dollarë. Berisha solli si krahasim vitin 2008, kur, sipas tij, nafta bruto arriti në 147 dollarë për fuçi, ndërsa në Shqipëri shitej me rreth 1600 lekë.
Ai e akuzoi qeverinë për taksim të lartë të karburanteve dhe theksoi se çmimet e larta po rëndojnë drejtpërdrejt qytetarët shqiptarë.
Sali Berisha: Mijëra e mijëra të rinj, të reja, qytetarë e qytetarë të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, bënë pluhur të gjitha përpjekjet e Edi Ramës për të dëmtuar, për të ndaluar, për të bllokuar protestën rinore, qytetare më madhështore të 35 viteve të fundit.
As temperaturat më të larta, as terrori policor skematik e i egër, as kërcënimet e pafundme, nuk mposhtën dot qëndresën në kushtet jashtëzakonshme, do të thosha, të qytetarëve shqiptarë kundër Edi Ramës.
Çdo orë, çdo ditë që kalon, fakton se Edi Rama nuk ka të ardhme, por më shumë se kushdo tjetër këtë e fakton vetë Edi Rama, i cili i ndryrë në bunkerin e tij, ka zgjedhur të mbajë fjalime, llafollogjira, të cilat në shumë aspekte ju ngjajnë atyre që mbante diktatori dikur apo që mbajnë diktatorët e sotëm në Amerikën Latine.
Narko-diktatori shqiptar, në të gjitha fjalimet e tij dëshmon dhe fakton tmerrin që i ka kallur në shpirt protesta e fuqishme qytetare. Rikujtoni pak ato fjalime, në asnjërin prej tyre nuk ekziston qytetari, në asnjërin prej tyre nuk ekziston Shqipëria, në asnjërin prej tyre nuk ekzistojnë problemet madhore të këtij vendi.
Në të gjitha, pa përjashtim, ekziston vetëm përpjekja si e si të mbajë pushtetin, si e si të mbajë në kontroll partinë e krimit. Të dashur miq, partia që drejton Edi Rama është themeluar mbi krimin, nga serbët në vitin 1941. Ajo kreu krime monstruoze me shtrirjen e luftës çlirimtare në një luftë civile në shumë zona të vendit. Dhe e bëri këtë vetëm e vetëm për pushtetin e saj.
Për të mbajtur pushtetin ajo kreu krime të gjenocidit të vërtetë në 45 vjet, 46 vite të diktaturës ndaj shqiptarëve. Të njëjtën gjë bën Edi Rama sot, narko-diktatori, por natyrisht jo në një diktaturë totalitare se atë nuk e vendos dot, por me një diktaturë autoritare, në të cilën bazohet në vjedhjen e tmerrshme të shqiptarëve, bazohet në tonelatat e miliardave të eurove nga droga, bazohet në korrupsionin dhe organizatat kriminale.
Me këtë nuk dua të them se socialistët janë kriminelë. Jo absolutisht, jo. Por dua të them se udhëheqja e Partisë Socialiste, ish-partia e punës, ish-partia komuniste, qëndron në pushtet vetëm e bazuar në krimin. Ndaj dhe meriton plotësisht të quhet parti e krimit.
Përshëndes përzemërsisht të gjithë ata socialistë që këto ditë të vapi, po kanë zgjedhur protestën dhe po djegin dokumentin e partisë së krimit. Në një kohë kur Edi Rama vazhdon llafollogjinë e tij të pafundme dhe nuk thotë asnjë fjalë për problemet e panumërta të qytetarëve shqiptarë, nafta ka arritur në Shqipëri 2300 lekë. Ndërkohë që në bursë është gjithsej 85, 90 dollarë.
Por rikujtoj shqiptarët këtu, se me 11 korrik të vitit 2008 është një datë e veçantë, është data në të cilën nafta në bursa ka patur çmimin më të lartë të 20 viteve të fundit. Ajo arriti në 147 dollarë nafta bruto në bursa. Në Shqipëri ajo shitej me 1600 lekë. Domethënë, shitej 30 e sa përqind më lirë sesa shitet sot kur në bursë kushton gjithsej 85 dollarë.
E gjitha kjo për një akt kriminal të qeverisë, e cila taton naftën dy herë më shumë se Maqedonia, se Kosova dhe se shumica e vendeve të tjera në botë. Por në qoftë se vendet e tjera për naftën kompensojnë atë të paktën nga 50 deri në 100 përqind të saj.
