Greqia po përballet me ditë të vështira, ndërsa zjarret pyjore kanë shkaktuar vdekjen e tre zjarrfikësve. Dy prej tyre humbën jetën në ishullin e Kretës, ndërsa viktima e tretë u regjistrua pranë Gytheios, në pjesën kontinentale të vendit. Në Kretën jugperëndimore, përhapja e flakëve detyroi autoritetet të evakuonin rreth 8 mijë persona.
Disa prej tyre u larguan me anije të Rojës Bregdetare, pasi zjarri kërcënoi zonën turistike të Agia Galinit. Rreth 300 zjarrfikës janë angazhuar në operacionet për vënien nën kontroll të vatrave. Një turiste austriake tregoi se ajo dhe familja e saj u evakuuan me rrobat e banjës, pasi flakët ua pamundësuan kthimin në hotel.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis paralajmëroi se vendin e presin “ditë të vështira”, për shkak të temperaturave të larta dhe hyrjes së sezonit të zakonshëm të zjarreve pyjore.
