Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pasi Lëvizja Vetëvendosje dorëzoi kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj tij dhe disa zyrtarëve të kabinetit komunal. Përmes një reagimi publik, ai tha se e mirëpret faktin që çështja i është drejtuar Prokurorisë, duke shtuar se institucionet komunale do të bashkëpunojnë plotësisht me organet e drejtësisë.
“E para, po m’vjen mirë që më në fund po i drejtoheni Prokurorisë. Është lajm i mirë. Tash udhëzojeni edhe Kryeministrin t’i përgjigjet Prokurorisë, sepse ka më shumë se dy vjet që nuk i përgjigjet ftesës për intervistim”- ka deklaruar Rama, të premten, më .
Komuna e Prishtinës, sipas tij, do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore ndaj kujtdo që eventualisht konstatohet se ka shkelur ligjin. “Dyert e Kryeqytetit kanë qenë dhe mbeten të hapura për organet e drejtësisë. Garantojmë bashkëpunim të plotë, transparent dhe institucional për çdo kërkesë të Prokurorisë, si gjithmonë, padiskutim”- shkruhet ndër të tjera në reagimin e Ramës.
Një ditë më parë () Lëvizja Vetëvendosje – Qendra në Prishtinë dorëzoi kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj kryetarit Përparim Rama dhe disa zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, duke i akuzuar për dyshime për keqpërdorim të detyrës zyrtare në lidhje me disa procese komunale. Kallëzimi penal është dorëzuar nga asamblistët e LVV-së në Kuvendin Komunal, Berita Abazi dhe Çlirim Gërbeshi.
Para dorëzimit të kallëzimit penal, Abazi deklaroi se ai bazohet në një sinjalizim anonim që, sipas saj, është pranuar një ditë më parë nga një grup asamblistësh të Prishtinës. Ajo tha se në emailin e sinjalizuesit përfshihen mesazhe që pretendohet se flasin për legalizime të kundërligjshme dhe shuma të mëdha parash.
Sipas Abazit, në komunikimet e përfshira në sinjalizim, njëri nga personat që komunikon është shefi i kabinetit të kryetarit Përparim Rama. “Në këto biseda, përmenden kompani ndërtimi, objekte ndërtimi dhe shuma të mëdha parash, ndërsa vetë personi pretendon se këto legalizime janë tërësisht të jashtëligjshme”- tha ajo.
