Nuk maten vitet me numrin e tyre, por me gjurmët që lënë në histori; ka jetë që shuhen pa lënë emër, e ka jetë që bëhen dritë për liri. Ti, Xhevat, zgjodhe rrugën më të vështirë, kur fjala dënohej më rëndë se plumbi; burgu nuk ta përkuli idealin, veç ia farkëtoi edhe më shumë qëndrimin.
Mërgimi nuk ishte largim nga atdheu, por një betim që s’njihte kufij; çdo hap në tokë të huaj ishte një hap më pranë Kosovës. Me libra, me fjalë, me veprim e besim, ndërtove ura shprese për kombin; aty ku të tjerët shihnin vetëm largësi, ti mbille shpresë e bashkim.
Kur erdhi liria, u ktheve sërish, jo për lavdi e as për pushtet; por për t’i shërbyer vendit me mendje, me penë dhe me ndershmëri. Sot, kur pensioni mbyll një kapitull, jeta jote nuk njeh fund të misionit; sepse njerëzit e idealeve nuk dalin kurrë në pension. Ata jetojnë në kujtesën e miqve, në respektin e brezave, në veprat që lënë pas dhe në emrin që koha nuk e zbeh.
Për mua mbetesh ai shoku i shkollës-bankës, miku i rrallë i jetës, njeriu që e mbajti fjalën më lart se interesin dhe idealin më lart se çdo privilegj. Gëzuar ditëlindjen, miku im! Shëndet, jetë të gjatë e paqe në familje! Le të të shpërblejnë vitet që vijnë me dashurinë dhe respektin që i ke fituar me nder gjatë gjithë jetës. Me respekt, mirënjohje dhe miqësi të përjetshme.
