Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), bën të ditur se numri ndërmarrjeve të regjistruara në Kosovë në muajin qershor 2026 ishte më i ulët. Rënie pati si në raport me muajin paraprak, njashtu edhe me muajin qershor të vitit 2025. “Në qershor 2026, numri i ndërmarrjeve të regjistruara pati rënie për (-1,4 %), krahasuar me muajin paraprak (Maj 2026).
Ndërsa, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak (Qershor 2025) pati rënie për (-5.1 %) të ndërmarrjeve të regjistruara.”- thuhet në komunikatën e ASK-së.
Burimi: Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) Sipas ASK-së, aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij muaji ishin: Tregti me shumicë dhe pakicë, riparim i mjeteve motorike, dhe motoçikletave me 242 ndërmarrje të regjistruara (22,2 %); Akomodim dhe aktivitete të shërbimeve me ushqim me 124 ndërmarrje të regjistruara (11,4 %); Ndërtimtari me 121 ndërmarrje të regjistruara (11,1 %); Aktivitete profesionale, shkencore dhe teknike me 114 ndërmarrje të regjistruara (10,4 %), etj.
Sa i përket numrit të ndërmarrjeve të regjistruara sipas kategorisë, ASK tregon se u regjistruan më shumë mikro ndërmmarrje. “Në kategorinë “Mikro Ndërmarrje” (0 deri në 9 të punësuar) ishin gjithsej 1 088 ndërmarrje të regjistruara; në kategorinë “Ndërmarrje të Vogla” (10 deri në 49 të punësuar) ishin gjithsej 4 ndërmarrje të regjistruara.”- thuhet në njoftimin e ASK-së.
Kurse, në kategorinë “Ndërmarrje të Mesme” (50 deri në 249 të punësuar) dhe në kategorinë “Ndërmarrje të Mëdha“ (250+) nuk pati ndërmarrje të regjistruara. Rreth gjysma e ndërmarrjeve apo mbi 49% u regjistruan në rajonin e Prishtinës, ndërsa pjesa tjetër në rajonet tjera të vendit.
“Shtrirja gjeografike e ndërmarrjeve të regjistruara në nivel rajoni ishte: Rajoni i Prishtinës prin me 536 ndërmarrje të regjistruara (49,1 %); Rajoni i Ferizajt me 115 ndërmarrje të regjistruara (10,5 %); Rajoni i Prizrenit me 109 ndërmarrje të regjistruara (10,0 %); Rajoni i Gjilanit me 97 ndërmarrje të regjistruara (8,9 %); Rajoni i Pejës me 90 ndërmarrje të regjistruara (8,2 %); Rajoni i Mitrovicës me 85 ndërmarrje të regjistruara (7,8 %) dhe Rajoni i Gjakovës me 60 ndërmarrje të regjistruara (5,5 %).”- njofton ASK.
Publikimin e plotë të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) e keni këtu .
