Barcelona nën hetim për Julian Alvarez

0%

Barcelona është vënë nën hetim nga Federata Spanjolle e Futbollit (RFEF), pasi Atletico Madridi ka paraqitur një ankesë zyrtare duke pretenduar se klubi katalanas ka kontaktuar në mënyrë të parregullt sulmuesin Julian Alvarez jashtë rregullave të afatit të transferimeve.

Sipas raportimeve të “Marca”, RFEF ka nisur procedurë të jashtëzakonshme disiplinore ndaj Barcelonës pas ankesës së dorëzuar nga Atletico më 30 qershor. Klubi madrilen pretendon se Barcelona ka filluar bisedimet me 26-vjeçarin në kundërshtim me rregulloret sportive, ndonëse lojtari ka kontratë me Atletico Madridin deri në qershor të vitit 2030.

Të dy klubet janë njoftuar zyrtarisht për procedurën dhe tashmë duhet të paraqesin argumentet dhe versionet e tyre përpara se organet kompetente të RFEF-së të marrin një vendim përfundimtar. Çështja ka rritur tensionet mes dy rivalëve të La Ligas.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Drejtori ekzekutiv i Atletico Madridit, Miguel Angel Gil Marin, kishte paralajmëruar më herët se klubi do të ndërmerrte veprime për të mbrojtur interesat e tij ndaj çdo qasjeje të paligjshme për lojtarin. Nga ana tjetër, presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, kishte pranuar publikisht më 13 korrik se klubi kishte paraqitur një ofertë për Julian Alvarez.

Megjithatë, Atletico Madrid vazhdon të refuzojë çdo mundësi negociatash për transferimin e sulmuesit argjentinas, duke e bërë këtë një nga sagat më tëdiskutuara të merkatos së verës. Julian Alvarez, ndërkohë, kishte shprehur dëshirën për një sfidë të re gjatë Kupës së Botës, ndërsa Barcelona e konsideron atë objektivin kryesor për përforcimin e repartit ofensiv për sezonin e ri.

Pavarësisht procedurës disiplinore, drejtuesit katalanas e konsiderojnë hetimin si pjesë të procesit standard dhe po përgatisin mbrojtjen e tyre ligjore.

Burimi: Bota Sot