Gjykata Themelore në Prishtinë ka gjetur fajtor dhe ka shpallur aktgjykim dënues ndaj katër të akuzuarëve për rastin “Toka 2”. Të akuzuar në këtë rast janë: Avni Maxhuni, Nexharije Hoti, Mehmet Prishtina dhe Dukagjin Emërllahu, të cilët akuzohen se nga viti 2009 deri në vitin 2014, si grup kriminal kishin kryer vepra të rënda penale me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore.
Gjykata katër të akuzuarëve iu ka shqiptuar gjithsej 32 vite dënim me burgim dhe 230 mijë euro dënim me gjobë për krim të organizuar. I akuzuari Mehmet Prishtina është dënuar me 10 vite burgim dhe 100,000 euro dënim me gjobë. Të akuzuarit Dukagjin Emërllahu dhe Nexharije Hoti janë dënuar me nga 8 vite burgim.
Emërllahu është dënuar me 80 mijë euro dënim me gjobë, ndërsa Nexharije Hoti me 20 mijë euro dënim me gjobë. Ndërsa, i akuzuari Avni Maxhuni është dënuar me 6 vite burgim, dhe 30 mijë euro dënim me gjobë. Shpallja e këtij aktgjykimi u bë të premten më nga gjyqtari Vesel Ismaili.
Gjykata i ka konfiskuar 45 ngarstrat kadastrale si dhe mjetet financiare në llogaritë e Mehmet Prishtinës, dhe Dukagjin Emërllahut. Për veprën penale shpërlarje e parave, Gjykata i ka liruar nga akuza Mehmet Prishtinën, Dukagjin Emërllahun, dhe Avni Maxhunin, duke thënë se nuk është vërtetuar që të njëjtit e kanë kryer këtë vepër penale.
Pas shpalljes së aktgjykimit, gjyqtari Vesel Ismaili dha një arsytetim lidhur me shpalljen e aktgjykimit. Gjyqtari Ismaili, tha se veprimet e të akuzuarve nuk ishin vetëm veprime rastësore, por të organizuara e koordinuara me qëllim të përfitimit pasuror.
“Gjykata ka konstatuar se të akuzuarit në bazë të roleve të tyre kanë ndërmarrë veprime të koordinuara që kanë mundësuar krijimin, regjistrimin, bartjen dhe paraqitjen si të ligjshme të të drejtave pronësore mbi 45 parcela kadastrale.
Veprimet e tyre të analizauara sipas rrjedhës kronologjike nuk paraqesin veprime të rastësishme apo të pavarura, por pjesë të një mekanizmi të përbashkët të orientuar drejt realizimit të përfitimit të kundërligjshëm pasuror.” – tha gjyqtari Vesel Ismaili. Gjyqtari tha se Gjykata, gjithashtu ka konstatuar edhe rolet e secilit të akuzuar për rastin në fjalë.
“Gjykata ka konstatuar se Mehmet Prishtina ka pasur rol organizativ dhe kooordinues, duke siguruar aktgjykimin dhe duke ndërmarrë veprime për paraqitjen e tij si të pranuar rregullisht në AKP.” – tha gjyqtari Ismajli. Sipas Gjykatës, Dukagjin Emërllahu ka qenë personi në emër të të cilit edhe është zhvilluar rasti si përfituesi kryesor i njohjes së pronësisë, dhe në disponim me ato prona.
“Dukagjin Emërllahu ka qenë personi në emër të të cilit është zhvilluar procedura civile, si përfitues i drejtëpërdrejtë i njohjes së pronësisë, dhe personi që më pas ka disponuar me parcela.”- tha më tutje gjyqtari Ismajli.
Lidhur me të akzuarën Nexharije Hoti, gjyqtari tha se Gjykata ka konstatuar se e njëjta në cilësinë e gjyqtares, me nxjerrjen e aktgjykimit CRN 724/09 ka krijuar kushtet ligjore që këto prona të regjistrohen dhe të barten.
“Nexharije Hoti përmes nxjerrjes së aktgjykimin CNR 724/09 ka krijuar bazën juridike që ka mundësuar regjistrimin dhe bartjen e pronave.”- tha në arsyetim gjyqtari Ismajli. Në fund lidhur me të akuzuarin Avni Maxhuni, gjyqtari tha se Gjykata ka konstatuar se i njëjti ka dhënë kontributin e tij përmes kontratave me çmime shumë më të ulëta për këto prona sesa vlera e tyre reale në treg.
“Ndërsa, Avni Maxhuni ka kontribuar në fazën e transferimit të tyre përmes kontratave me çmime dukshëm më të ulta se vlera reale.”- thuhet në arsyetimin e Gjykatës. Aktakuza ndaj këtij grupi lidhet me keqpërdorim pronash në komunën e Prishtinës dhe Graçanicës. Bëhet fjalë për 36 hektarë tokë komunale të shitur me çmim shumë të ulët në krahasim me çmimin real të tregut.
Sipas prokurorisë veprat ishin kryer ashtu që e akuzuara Nexharije Hoti në cilësinë e gjyqtares në Gjykatën Komunale, në mënyrë të kundërligjshme kishte aprovuar padinë e Dukagjin Mehmetit për të drejtat pronësore të mbi 45 ngastrave me sipërfaqe prej 36 hektarë.
Mehmet Prishtina akuzohet se ishte organizator i këtij grupi ndërsa bashkë me Avni Maxhunin dhe Nexharije Hotin akuzohen për falsifikim të dokumenteve zyrtare dhe shpëlarje të parave. Për ndihmë në kryerjen e veprës së nxjerrjes së kundërligjshme të vendimeve gjyqësore ata akuzohen bashkë me Dukagjin Emërllahun.
Në këtë rast të akuzuar kanë qenë edhe 17 persona të tjerë për të cilët është hudhë aktakuza. Ky rast është ndarë në 3 pjesë, në pjesën e parë në mesin e të akuzuarve është edhe ish-deputeti i PDK-së Azem Syla. Lidhur me këtë rast, Gjykata në shkallë të parë në dhjetor të vitit 2024 ka marrë vendim.
