Selim Sutaj u kujtua të premten si një prej njerëzve që ia kushtoi jetën lirisë dhe shërbimit ndaj Kosovës. Në mbledhjen komemorative të mbajtur në Deçan, bashkëluftëtarë, kolegë dhe zyrtarë institucionalë vlerësuan figurën dhe kontributin e tij ndër vite.
Me këtë rast, ish-deputeti Nait Hasani kujtoi periudhën e vuajtjes së dënimit së bashku me Selim Sutajn në burgjet serbe, duke e cilësuar atë si një njeri të fortë, të ndershëm dhe me dinjitet.
Hasani tha se me Sutajn kishte ndarë ditët më të vështira të jetës në burgun e Mitrovicës gjatë regjimit serb, ndërsa më herët kishin qenë së bashku edhe në burgun e Dubravës, ku përjetuan masakrën gjatë bombardimeve. Hasani: Nuk u përkul kurrë para padrejtësisë “E pata fatin dhe njëkohësisht barrën e rëndë të ndaja me Selimin ditët më të vështira të jetës sonë.
Ishim bashkë në një dhomë në burgun e Mitrovicës së Serbisë… Më parë ishim bashkë dhe në burgun e Dubravës, ku përjetuam bombardimet dhe tmerrin ku u vranë mbi 118 dhe mbi 400 të tjerë u plagosën. Në ato ditë të errëta, Selimi ishte një burrë i qetë, i qëndrueshëm dhe me dinjitet. Ai nuk u përkul para padrejtësisë, mbante qëndrim të fortë, ruante besimin dhe i jepte forcë edhe të tjerëve.
Në burg e njohëm si një njeri të ndershëm, të urtë, të shoqërueshëm, me shpirt e zemër të madhe, që ndante edhe kafshatën e bukës me të tjerët”, tha Hasani. Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, tha se Selim Sutaj do të kujtohet për ndershmërinë dhe përkushtimin e tij ndaj atdheut, duke vlerësuar se njerëz si ai janë pasuria më e madhe e vendit.
Bashkim Ramosaj: Karakteristika e tij ka qenë ndershmëria “Kur ndalesh me fol për Selimin, e marrë njëfarë të drejte, sepse karakteristika e tij ka qenë ndershmëria, ai virtyt që është shumë i rëndësishëm për neve, e po ashtu shërbimi ndaj atdheut.
Ngandonjëherë thuhet se njerëzit janë me fat kur i shërbejnë atdheut, por është edhe një shprehje tjetër që thotë se atdheu është me shumë fat kur ka njerëz që i shërbejnë me devotshmëri atij shteti e atij kombi… Në emër të qytetarëve të Komunës së Deçanit, më lejoni t’ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Sutaj…
Është më i miri i krejt neve, më i miri i kombit, për shkak se ka lënë vepra dhe ka rrugëtuar në atë rrugë që e kemi pasur për nder të gjithë ne ta ndjekim”, u shpreh Ramosaj. Ai u shprehu ngushëllime familjes Sutaj, banorëve të Llukës së Epërme dhe gjithë qytetarëve të Deçanit, duke theksuar se humbja e Selim Sutajt është humbje për mbarë kombin.
Drejtori i Operativës për Regjionin e Pejës në Policinë e Kosovës, Avni Xhevukaj, tha se Selim Sutaj i përkiste një gjenerate të njerëzve që u sakrifikuan për lirinë e vendit dhe më pas vazhduan kontributin e tyre në ndërtimin dhe mbrojtjen e institucioneve të Kosovës.
Ai tha se Sutaj, pas angazhimit në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fazat e hershme të luftës, vazhdoi shërbimin ndaj atdheut në rrethana të reja, përmes angazhimit në Policinë e Kosovës.
Xhevukaj: Selimi çdoherë në shërbim të atdheut “Selimi i ka takuar gjeneratës së shquar që kanë dhënë dhe janë sakrifikuar për liri, e më pas u shpërndanë në ndërtim, mbrojtës të rendit dhe ligjit, Kushtetutës dhe territorit të Republikës së Kosovës.
Selimi iu bashkua luftës së lavdishme në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fillimet e saj të para, e më pas është angazhuar po në shërbim të atdheut, por tani në rrethana të reja”, tha Xhevukaj. Varrimi i të ndjerit u bë në ora , në varrezat e fshatit Llukë e Epërme.
