Jehona Lushaku e cila ishte shefe e grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës gjatë legjislaturës së dhjetë të Kuvendit, ka thënë se tashmë janë përmbyllur proceset e brendshme partiake të cilat ndikuan që LDK t’i ndërpriste takimet për formimin e institucioneve.
Lidhur me takimet e mundshme mes Kurtit dhe Abdixhikut, ajo tha se aktualisht nuk ka ndonjë ftesë për takime të tilla. “Nëse do të ketë, do t’ua bëjmë me dije.”- deklaroi Lushaku para mediave. Partneriteti për LDK-në, sipas Lushakut, ndërtohet mbi parime bazë, tek më pas, për pozita në institucione. Si parti, ajo ka thënë se janë të orientuar kah Perëndimi.
Ajo tha se në deklaratën që u votua në Kuvendin e LDK-së u tha se partia dhe deputetët duhet të punojnë në prizmin e dhënies se kontributit për formimin e institucioneve. Derisa u pyet për çështjen e presidentit, pasi që LDK në zgjedhje garoi me kandidate për presidente – me Vjosa Osmanin – Lushaku tha se duhet të shihen të gjitha modalitetet.
“Siç e kemi thënë, ne do të angazhohemi që partisë qeverisëse mos t’i takojnë tri pozitat kryesore me qëllim të ruajtjes së balancit politik… Kështu do jetë angazhimi jonë. Varet krejt prej marrëveshjes politike pas negociatave.”- tha ajo. Në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të LDK-së, të mbajtur të enjten më , Lumir Abdixhiku u rizgjodh kryetar i partisë, pasi mori mbështetjen e 170 delegatëve.
Kundër ishin152 vota dhe pesë kanë abstenuar. Edhe pse votimi ishte i fshehtë dhe nuk dihet se kush qysh votoi – disa nga ata që ishin vendosur kundër Abdixhikut vetëm se kishin bërë të ditur paraprakisht qëndrimin e tyre, përfshirë këtu Hykmete Bajramin, Avdullah Hotin, Arben Gashin, Gazmend Muhaxherin e Armend Zemajn – por jo vetëm.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abidxhiku, pas konfirmimit të tij në këtë pozitë në Kuvendin e jashtëzakonshëm, tha se kjo parti dëshmoi demokraci maksimale. “Ky Kuvend ishte i pavend e pa kohë në këtë periudhë. Kemi dëmtuar mbështetësit tanë. Rezultati i tanishëm është detyrim i bashkimit dhe reformës së LDK-së”- tha ai.
Abdixhiku tha se kanë marrë një vendim që ka të bëjë me gjendjen politike në vend. “Delegatët mbështetën iniciativën tonë për t’i dhënë institucione vendit”- tha ai. Në zgjedhjet e fundit, LDK-ja garoi së bashku me presidenten e gjashtë të vendit, Vjosa Osmani-Sadriu, dhe mori 16.69% të votave apo 18 ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Menjëherë pas kësaj filluan kërkesat për dorëheqjen e Abdixhikut të cilat kulmuan me dorëzimin e nënshkrimeve të më shumë se 1/3 së delegatëve të Kuvendit të cilët kërkuan thirrjen e këtij organi të partisë për ta hedhur në votim shkarkimin e Abdixhikun nga pozita e kreut të partisë.
Kuvendi u mbajt në atmosferë përplasjesh të brendshme dhe akuzash brenda anëtarësisë për presione që pretendohej se vinin nga nivelet e larta.
