Konsullata serbe në Shkodër, alarm në Tiranë e Prishtinë: Serbia po

0%

Të enjten u njoftua se Shqipëria dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje në parim për hapjen e konsullatave në Shkodër dhe Bujanoc. Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriç, i cili tha se dakordësia është arritur gjatë takimit me homologun e tij shqiptar, Ferit Hoxha.

Në një intervistë për Radio Beogradin, Gjuriç deklaroi se hapja e këtyre konsullatave do të jetë një hap në drejtim të forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. “Më gëzon fakti që pata bisedime të mira me ministrin e ri të Jashtëm të Shqipërisë, Ferit Hoxha, me të cilin arritëm një marrëveshje në parim për hapjen e konsullatave të dy vendeve në Shkodër dhe Bujanoc”, ka thënë Gjuriç.

Rreth këtij lajmi nuk ka raportuar ende ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ndërsa ai u kritikua nga deputetja, Marjana Koçeku, e cila theksoi se hapja e një konsullate serbe në Shkodër është shumë e çuditëshme, ndërsa shtron pyetjen se “kujt i shërben?” Koçeku shton se nëse ky lajm është i vërtetë atëherë ministri i jashtëm Hoxha, duhet t’i japë përgjigje sa më parë pyetje.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Tutje, ajo ka shtuar se Serbia nuk mund të konsiderohet një partnere e afërt politike përderisa vazhdo të mbajë qëndrime dhe politika që bien ndesh me interesant e shqiptarëve dhe të Kosovës.

“Para se me ndërmarrë hapa të tillë, Serbia ka ende çështje të rëndësishme të pazgjidhuna me Kosovën, sidomos në dritën e deklaratës së fundit të ministres serbe Paunoviq kundër Kosovës, e cila ngjalli reagime dhe shqetësim. Do kishte qenë e udhës që edhe autoritetet shqiptare të kishin mbajtë një qëndrim ma të fortë.

Por kjo nuk ka ndodhë dhe më bëjnë jashtë mase përshtypje politikat e buta kundrejt Serbisë. Përvoja historike na ka mësu se çdo zhvillim në marrëdhëniet me Serbinë duhet me u trajtu me kujdes dhe me vlerësim të plotë të pasojave. Pikërisht për këtë arsye, çdo ndërmarrje e tillë diplomatike meriton transparencë, debat publik dhe nji analizë të kujdesshme në funksion të interesit kombëtar.

Hapja e nji konsullate serbe në Shkodër nuk kishte me u shërby aspak interesave të shqiptarëve, por vetëm interesave të Serbisë, tue ia forcu edhe ma tej pozitat në rajon. Kjo nuk asht në përputhje as me interesat tona kombëtare, as me aspiratat euroatlantike të Shqipnisë.

Serbia nuk mund të konsiderohet nji partnere e afërt politike përderisa vazhdon me mbajtë qëndrime dhe me ndjekë politika që shpesh bien ndesh me interesat e shqiptarëve dhe të Kosovës.

Prandaj, Shqipnia duhet me e trajtu me kujdes çdo hap që mundet me ndiku në balancat politike të rajonit, tue u udhëheqë gjithmonë nga interesi kombëtar, mbështetja për Kosovën dhe aspiratat tona identitare për të ardhmen” , ka shkruar ajo në një reagim.

Në anën tjetër, analistët në Shqipëri konsiderojnë se hapja e konsullatës serbe në Shkodër është lajm jo i mirë, duke thënë se Tirana bën lëshime ndaj Serbisë dhe për këtë Kosova duhet të ndalojë komunikimet me Partinë Socialiste.

Sipas tyre, hapja e konsullatës shqiptare në Bujanoc është lëvizje pozitive, pasi do t’iu mundësonte shqiptarëve në atë pjesë të marrin fonde nga buxheti i qeverisë shqiptare. “Veprimi skandaloz të anulohet” Analisti politik Milaim Nela, e quan lajm të keq për shqiptarët hapjen e konsullatës serbe në Shkodër.

Analisti politik Milaim Nela Sipas tij, në vend se Tirana të mbajë qëndrim ndaj Serbisë militariste që kërcënon çdo ditë Kosovën, ajo bën lëshime Serbisë. “Lajmi i hapjes së Konsullatës Serbe në Shkodër është një lajm i keq për shqiptarët. Reciprociteti me hapjen e një konsullate në Bujanovc nuk është i justifikueshëm nga çdo aspekt që ta shohësh.

Kjo marrëveshje vjen pikërisht kur pritej një reagim i fortë politik e diplomatik ndaj deklaratave shoviniste te ministres serbe Paunovic! Në vend që Tirana Zyrtare të mbajë qëndrim ndaj Serbisë militariste që kërcënon çdo ditë Kosovën ajo i bën lëshime Serbisë për rreth 12 familje që as serbe nuk janë por malazezë në Vrakë të Shkodrës!” , shprehet Nela për “Bota sot”.

Ai konsideron se Shqipëria mund të luante një rol tjetër në rajon për të ushtruar presion ndaj Serbisë. Sipas Nelës, Kosova duhet të ndërprejë çdo komunikim e marrëdhënie me sektin politik që e quan veten Parti Socialiste, pavarësisht që tingëllon e ekzagjeruar. “Tirana Zyrtare dhe kryeministri i saj Edi Rama vazhdojnë të sillen si aneks dhe vasalë të qeverise serbe!

Shqipëria do te mund të luante një rol krejt tjetër në rajon duke ushtruar presion mbi Serbinë që të njohe Kosovën dhe të heq dorë nga ambicia e sëmurë për rianeksimin e saj.

E kam thënë shumë here e mbase ka tingëlluar e ekzagjeruar, por qeveria dhe partitë politike të Kosovës duhet të ndërpresin çdo komunikim e marrëdhënie me sektin politik të rilindjes që e quan veten Parti Socialiste e t’i trajtojë ata si zyrtarë të Serbisë, deri sa ata sillen si të tillë!

Ata duhet të pezullojnë çdo marrëdhënie me Tiranën e bile të përzënë ambasadorin e Shqipërisë deri sa ky vendim skandaloz të anulohet!”, shton analisti. “Serbia përfituese kryesore” Deri më tani nuk ka pasur ndonjë reagim zyrtar nga Kosova rreth lajmit të hapjes së konsullatave në Shkodër e Bujanoc, ndërsa analisti Ilir Vata këtë hapje në Shkodër e quan një “qokë” për Serbinë.

Sipas tij, në Bujanoc hapja është me rëndësi dhe një lëvizje pozitive. Ilir Vata “Konsullata e Serbisë në Shkodër është një “qokë” për Serbinë në Shqipëri, në pjesën veriore të vendit. Më shumë ndikim mund të ketë për Malin e Zi sesa për dhjetëra serbët që jetojnë në Shkodër.

Siç duket, Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë ka pasur si synim hapjen e konsullatës së saj në Bujanoc dhe, për ta arritur këtë, ka joshur Serbinë me hapjen e një konsullate në Shqipëri. Sigurisht, prania zyrtare e Tiranës në Bujanoc dhe në Luginën e Preshevës është me rëndësi, ndonëse deri më sot ka qenë pothuajse inekzistente.

Qeveria shqiptare duhet të akordojë fonde nga buxheti i shtetit për shqiptarët që jetojnë atje. Për diplomacinë, kjo është një lëvizje pozitive, por ndikimi i saj do të varet nga angazhimi konkret i qeverisë shqiptare”, s hprehet Vata për “Bota sot”.

I pyetur nëse do të duhej që Serbia së pari të zgjidhte çështjet e hapura me Kosovën përpara hapjes së një konsullate në Shkodër dhe a ka pasur mundësi ta parandalonte këtë Shqipëria, Vata e pohon këtë, gjersa shton se me këtë veprim Serbia përpiqet të zbusë qëndrimin e partnerëve ndërkombëtarë. “Po.

Në këtë lëvizje diplomatike, përfituesja kryesore është Serbia, pasi shmang vëmendjen nga problemi madhor: Kosova. Me këtë veprim, Serbia përpiqet të zbusë qëndrimin e partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht të SHBA-së dhe BE-së. Kjo ndodh edhe pas retorikës ekstremiste të qeverisë serbe.

Presidenti Vuçiç kërkon të fitojë kohë për të ruajtur pushtetin dhe për ta mbajtur peng çështjen e Kosovës. Mendoj se problemi nuk qëndron te hapja e konsullatës në Bujanoc, por te mungesa e koordinimit mes shqiptarëve andej dhe këndej kufirit. Tirana i bie thumbit, ndërsa Kosova patkoit. Politika në Kosovë duhet të dalë nga ngërçi dhe të merret me çështjet e brendshme dhe ato kombëtare.

Hapja e një konsullate në trevat shqiptare është një zhvillim pozitiv, ndërsa ajo në Shkodër është një vrimë në detin që lag Shkodrën”, përfundon Vata.

Burimi: Bota Sot