Italia ka shpallur ekipin rekord prej 132 atletësh për Kampionatin Evropian të Atletikës Birmingham 2026, që do të mbahet nga 10 deri më 16 gusht. Ky është ekipi më i madh që Italia ka dërguar ndonjëherë në një kampionat, duke kaluar rekordin prej 116 atletësh në Evropianin e Romës më 2024, ku italianët kryesuan tabelën e medaljeve me 11 medalje të arta.
Në përbërje janë tetë nga nëntë kampionët individualë evropianë të vitit 2024. Sprinteri Marcell Jacobs synon titullin e tretë radhazi në 100 metra, ndërsa Nadia Battocletti do të mbrojë titujt në garat 5.000 dhe 10.000 metra.
Në disiplinat e hedhjeve dhe kërcimeve rikthehet pas lëndimit kampioni i trefishtë i kërcimit së larti Gianmarco Tamberi, ndërsa Leonardo Fabbri dhe Sara Fantini do të synojnë mbrojtjen e titujve të tyre.
Kampionia olimpike Antonella Palmisano do të garojë në gjysmëmaratonën e ecjes, ndërsa kampioni evropian i gjysmëmaratonës Yemaneberhan Crippa ka zgjedhur garën e 10.000 metrave në vend të maratonës. Mungesa më e madhe është kampioni evropian i 110 metrave me pengesa, Lorenzo Simonelli, i cili nuk është përfshirë në ekip për shkak të një lëndimi.
Në listë janë edhe emra të njohur si kampioni i botës në kërcim së gjati Mattia Furlani, kampioni i botës në sallë dhe lideri botëror i vitit 2026 në kërcim trefish Andy Diaz Hernandez, kampionia evropiane në sallë Larissa Iapichino etj. Italia do të marrë pjesë edhe në të gjashtë garat stafetore, përfshirë stafetën 4×100 metra për meshkuj, ku mbron titullin evropian.
Atleti më me përvojë i ekipit është Daniele Meucci, 40 vjeç, i cili do të marrë pjesë në Kampionatin Evropian të atletikës për herë të tetë.
