Shpërndaje në: Janë hedhur dyshime se të enjten ka ndodhur një incident i sigurisë në faqen zyrtare të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës.
Tek ka bërë thirrje që Policia dhe Prokuroria të ndërhyjnë, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ermal Sadiku, ka thënë se nga kjo faqe janë publikuar nënshkrime, letërnjoftime e numra personalë dhe të dhëna të tjera të ndjeshme të ndërmarrësve apo të autorizuarve të tyre. “Faqja e ARBK-së është duke pasur probleme serioze me ekspozimin e të dhënave tuaja.
Shumë dokumente, nënshkrime dhe kopje të letërnjoftimeve të bizneseve ishin të qasshme publikisht. Po ashtu, faqja po përballet me mbingarkesë të vazhdueshme. Dyshimi im është se përmbajtja e saj po “scrapohet” në mënyrë masive nga qindra kërkesa automatike, gjë që mund të jetë duke shkaktuar këtë situatë”, ka shkruar ai në Facebook të premten.
Pas kësaj ka reaguar Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit. Aty nuk është përmendur rreziku i rrjedhjes së të dhënave personale. Është thënë se janë publikuar vetëm të dhëna që kërkohen sipas Ligjit për Shoqëritë Tregtare. “ARBK thekson se publikon vetëm ato të dhëna të cilat legjislacioni i përcakton si të dhëna publike.
Të dhënat personale ose informacionet e tjera që nuk janë të destinuara për publikim mbrohen dhe trajtohen në përputhje me kërkesat e legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale dhe nuk bëhen pjesë e qasjes publike.
Qëllimi i publikimit të të dhënave është të rritet transparenca dhe besueshmëria e të bërit biznes, të lehtësohet verifikimi i statusit juridik të subjekteve afariste, të forcohet siguria juridike në marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare dhe të përmbushen detyrimet ligjore të ARBK-së për administrimin e një regjistri publik të saktë, të përditësuar dhe të qasshëm”, thuhet në reagim të MINTI-t.
E ministrja Mimoza Kusari në një diskutim me Sadikun në Facebook, ka thënë se nëse ka pasur ekspozim të të dhënave për tej atyre që parashihen me ligj, kërkon falje. Ajo ka mohuar pretendimin se ka pasur veprime të qëllimshme në këtë aspekt. Më vonë, sipas Besart Kuletës, inxhinier softueri dhe ndërmarrës në teknologji, ARBK-ja e ka ndaluar mundësinë e shkarkimit të dokumenteve.
Edhe Arbëri 31 jan 2026 Fabrikat e linçimit Ai ka publikuar në Facebook një dokument në të cilin ka thënë se janë shfaqur nënshkrimet e themeluesve dhe komplet letërnjoftimi i njërit prej përfaqësuesve ligjorë. Kuleta ka thënë se me këto të dhëna ekzistojnë rreziqe për “vjedhje apo imitim të identitetit; mashtrime financiare e falsifikim të dokumenteve/nënshkrimeve”.
Në dy raste ai ka paralajmëruar se “dëmet nga kjo rrjedhje mund të shfaqen më vonë”. Sipas Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, të dhëna personale konsiderohen numri personal, kopja e letërnjoftimit dhe të dhënat identifikuese. Publikimi i tyre pa bazë ligjore mund të përbëjë shkelje të dispozitave për mbrojtjen e të dhënave personale. Për publikim të tillë parashihen gjoba.
