Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK) ka njoftuar se publikimi i të dhënave nga Regjistri i Bizneseve të Republikës së Kosovës bëhet në pajtim të plotë me legjislacionin në fuqi.
Në një deklaratë për publikun, ARBK ka bërë të ditur se Regjistri i Bizneseve është regjistër publik, i krijuar për të garantuar transparencën e veprimtarisë ekonomike, sigurinë juridike në qarkullimin tregtar dhe qasjen në informacionet që kanë karakter publik.
“Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), në kuadër të mandatit të saj ligjor dhe përgjegjësive për administrimin e Regjistrit të Bizneseve të Republikës së Kosovës, njofton qytetarët, bizneset, institucionet dhe të gjitha palët e interesuara se publikimi i të dhënave nga Regjistri i Bizneseve bëhet në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës.
Regjistri i Bizneseve është regjistër publik, i krijuar dhe i administruar për të garantuar transparencën e veprimtarisë ekonomike, sigurinë juridike në qarkullimin tregtar dhe për të mundësuar qasjen në informacionet që, sipas ligjit, kanë karakter publik. Publikimi i të dhënave mbështetet në dispozitat e Ligjit Nr. 06/L-016 për Shoqëritë Tregtare, konkretisht ne nenin 22 të këtij Ligji .
Përpunimi dhe publikimi i të dhënave bëhet në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, duke respektuar parimet e ligjshmërisë, proporcionalitetit, transparencës dhe minimizimit të të dhënave. ARBK thekson se publikon vetëm ato të dhëna të cilat legjislacioni i përcakton si të dhëna publike.
Të dhënat personale ose informacionet e tjera që nuk janë të destinuara për publikim mbrohen dhe trajtohen në përputhje me kërkesat e legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale dhe nuk bëhen pjesë e qasjes publike.
Qëllimi i publikimit të të dhënave është të rritet transparenca dhe besueshmëria e të bërit biznes, të lehtësohet verifikimi i statusit juridik të subjekteve afariste, të forcohet siguria juridike në marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare dhe të përmbushen detyrimet ligjore të ARBK-së për administrimin e një regjistri publik të saktë, të përditësuar dhe të qasshëm.
ARBK mbetet e përkushtuar për administrimin profesional dhe transparent të Regjistrit të Bizneseve, duke siguruar balancën ndërmjet interesit publik për qasje në informata dhe mbrojtjes së të drejtave të subjekteve të regjistruara, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës.
Agjencia fton të gjitha institucionet, bizneset dhe qytetarët që, gjatë përdorimit të të dhënave publike të Regjistrit të Bizneseve, t’i përdorin ato në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe vetëm për qëllime të ligjshme, duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të personave fizikë dhe juridikë.
ARBK mbetet e përkushtuar që të zbatojë me përpikëri obligimet ligjore, të rrisë transparencën dhe llogaridhënien ndaj publikut, si dhe të garantojë që çdo proces të zhvillohet në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi, duke respektuar në përpikëri të drejtën legjitime të qytetareve dhe obligimet ligjore institucionale për mbrojtjen e të dhënave personale.
Të gjitha palët e interesuara për informacione shtesë mund të drejtojnë pyetjet e tyre në Divizionin për Komunikim Publik në MINTI. Email: [email protected] ”, thuhet në njoftim.
