Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka njoftuar se ka emëruar Agron Limani, kryesues të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.
“Me Agronin njihemi prej më shumë se dy dekadash dhe bashkë kemi organizuar aksione në kërkim të drejtësisë, sikur ai i vitit 2004 para zyrave të UNMIK-ut kur publikuam listën me emrat e 56 kriminelëve të dyshuar për masakrën e Krushës së Vogël, aksion për të cilin ai ishte arrestuar” – ka shkruar Kurti.
Agron Limani është bashkautor i monografisë “Fshati i Vrarë” për masakrën e Krushës së Vogël, libër i cili u ka shërbyer institucioneve të drejtësisë si dëshmi në rastin ku është dënuar Darko Tasiç. Gjatë luftës, Agron Limani ka qenë ushtar i UÇK-së, e ka të vrarë vëllain, ndërsa babai, axha dhe djali i axhës së tij, të tre, mbesin ende të zhdukur.
“Misioni i tij në kërkim të së vërtetës dhe drejtësisë kishte nisur me drejtimin e Shoqatës për Hulumtimin e Personave të Rrëmbyer “26 Marsi 1999”” – thuhet në komunikatën e Qeverisë në detyrë Me profesion LImani inxhinier i elektroteknikës, ndërsa ka qenë edhe drejtor i Bujqësisë në Komunën e Prizrenit.
Kurti ka potencuar më tej se, përkundër pengesave dhe sabotimit të vazhdueshëm nga Serbia, do të vazhdojë përkushtimi i palëkundur në përpjekjet për kërkim të së vërtetës, me qëllim zbardhjen e fatit të secilit prej më të dashurve tanë të zhdukur më dhunë gjatë luftës së fundit, si dhe vënien e drejtësisë në vend.
Ai ka përmendur edhe gërmimet e fundit në Kalludër të Zubin Potokut të cilat sipas tij, janë kryekëput rezultat i punës së institucioneve të kosovare, duke i bërë thirrje ndërkombëtarëve për trysni që Serbia të zbatojë Deklaratën e 2 majit 2023 për personat e zhdukur me dhunë, në veçanti për hapjen e arkivave të forcave të saj, përfshirë këtu ndryshimin e vendimit për klasifikim 30 vjeçar, deri më 2044, përkatësisht hapjen e arkivit së Brigadës së Motorizuar 37 të Ushtrisë Jugosllave.
