Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dega në Pejë, ka reaguar pas tensioneve të krijuara gjatë seancës së Kuvendit Komunal të Pejës, ku pati një përplasje verbale mes dy asambleistëve. Gjatë mbledhjes së gjashtë të rregullt të Kuvendit Komunal për vitin 2026, ndër të tjera u diskutua edhe projekti për shpërndarjen e 65 traktorëve për fermerët përfitues.
Pikërisht kjo çështje, sipas AAK-së, ka nxitur debat mes opozitës dhe ekzekutivit komunal. Përmes një reagimi, AAK dega në Pejë ka thënë se asambleistët e saj janë përballur me një situatë të papranueshme, duke pretenduar se ekzekutivi komunal nuk ka ofruar argumente për procesin e shpërndarjes së traktorëve.
“Mungesa e argumenteve nga ekzekutivi komunal për të arsyetuar procesin e shpërndarjes së traktorëve u reflektua në sjellje të papërshtatshme gjatë debatit, në vend të përgjigjeve për çështjet që preokupojnë fermerët dhe qytetarët”, ka deklaruar AAK-ja në reagim.
Sipas kësaj partie, drejtori i Bujqësisë në Komunën e Pejës është marrë me sulme personale ndaj përfaqësuesve të saj, ndërsa nuk ka ofruar, siç thuhet, përgjigje për çështjet e ngritura.
Përplasje verbale mes dy asamblistëve në seancën e Kuvendit të Pejës “Drejtori i Bujqësisë u mor me sulme personale ndaj përfaqësuesve tanë, pa ofruar argumente dhe duke devijuar nga tema”, thuhet në reagim. AAK-ja ka pretenduar gjithashtu se kryesuesi i Kuvendit Komunal, Rexhep Kurtbogaj, ia ka ndërprerë fjalën asambleistit të saj, Drin Veselaj.
“Kryetari i Kuvendit ia ndërpreu fjalën asambleistit tonë, Drin Veselaj, me arsyetimin se kishte dalë nga tema, ndonëse diskutimi i tij lidhej drejtpërdrejt me pikën e rendit të ditës”, ka deklaruar AAK-ja. Sipas reagimit, pas kundërshtimeve për këtë veprim situata është tensionuar më tej, duke çuar në një përplasje verbale mes dy anëtarëve të Kuvendit Komunal.
“Pas kundërshtimeve për këtë veprim, situata u tensionua edhe më tej, ndërsa më pas shpërtheu edhe një përplasje verbale mes dy anëtarëve të Kuvendit, ngjarje që tashmë është bërë publike edhe në media”, thuhet në reagim. AAK-ja ka bërë të ditur se asambleistët e saj kanë kontribuar në qetësimin e situatës, në mënyrë që seanca të vazhdonte punën.
“Përpjekjet për të frikësuar opozitën nuk do të na ndalin. Aleanca do të vazhdojë të mbrojë me përgjegjësi interesin publik, të kërkojë llogaridhënie dhe të jetë zëri i qytetarëve në çdo seancë të Kuvendit Komunal”, ka përfunduar reagimi.
Ndërkohë, gjatë seancës së Kuvendit Komunal të Pejës ka ndodhur një përplasje verbale mes asambleistit të AAK-së, Shaban Ramaj, dhe atij të LDK-së, Atdhe Berisha, derisa asambleisti i AAK-së, Drin Veselaj, ishte duke diskutuar në foltoren e Kuvendit.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka deklaruar për Telegrafin se deri më tani nuk është raportuar apo iniciuar ndonjë rast lidhur me këtë ngjarje. “Nuk jemi në dijeni, nuk ka të raportuar as të iniciuar”, ka thënë Gashi.
